“Europa s’do jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor”/ Grupi i V4: BE të hapë negociatat me Shqipërinë

Kryeministrat e shteteve të Grupit të Vishegradit në takimin e sotëm në Pragë me kryetarët e qeverive të vendeve nga Ballkani Perëndimor, miratuan Deklaratën e grupit të Vishegradit për Ballkanin Perëndimor.

Marketing

Liderët e grupit të Vishegradit konfirmuan me anë të kësaj deklarate mbështetjen për inkuadrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe bindjen se bashkimi i Europës nuk do të jetë i plotë pa inkuadrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Në tekstin e Deklaratës theksohet se politika e zgjerimit të Bashkimit Europian është vegël e rëndësishme me vlerë të paçmueshme për arritjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor; prej atje, ekzistenca e një politike të besueshme për zgjerim paraqet strategji të investimit për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Bashkimit Evropian.

Në këtë dokument të grupit të Vishegradit përmendet se inkuadrimi është dhe do të mbetet proces i themeluar në merita dhe i cili tërësisht varet nga përparimi i arritur objektiv.

Deklarata e Grupit të Vishegradit thekson se fillimi i bisedimeve në tetor të vitit 2019 jo vetëm që do t’u mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të fokusohen edhe më shumë në reformat e duhura, por do të shërbejë edhe si nxitje e rëndësishme për tërë rajonin dhe garanci se BE do të vazhdojë të ketë rol udhëheqës në transformimin pozitiv të rajonit.

Kryeministrat e vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit, në deklaratë shprehin pritshmërinë në përputhshmëri me Strategjinë e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor të shkurtit të vitit 2018, se bisedimet aderuese me Serbinë dhe Malin e Zi do të përshpejtohen gjatë mandatit të ardhshëm të Komisionit në përputhje me avancimin e arritur nga të dyja shtetet, si dhe se proceset reformuese në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë në periudhën e mëtejshme do t’i përforcojnë mundësitë për anëtarësimin e rajonit në BE.

Në deklaratën e Pragës përsëritet mbështetja për shtetet partnere të Ballkanit Perëndimor në gatishmërinë e tyre të stabilitetit në rajon, përforcimi i qeverisjes të së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përforcimi i rezistencës ndaj kërcënimeve hibride, ballafaqimi me radikalizimin dhe kontrollin e migrimit.

Vendet anëtare të Vishegradit në Deklaratë theksojnë se e kanë parasysh rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor në përforcimin e diversifikimit të burimeve të energjisë në Bashkimin Europian përmes Korridorit Jugor dhe e shprehën gatishmërinë e tyre për përmirësim të bashkëpunimit mes shteteve nga Grupi i Vishegradit dhe Ballkani Perëndimor.