Seanca plenare për shkarkimin e shefes së Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva nga VMRO-DPMNE-ja u kërkua që të thirret sot, ndërkaq kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi siguroi që ajo do të jetë para 15 shtatorit – skadimit të mandatit të PSP-së, transmeton Portalb.mk.
Duke sqaruar procedurën, Xhaferi sqaroi se, seanca mund të thirret edhe sot.
“Formalisht seancë mund të caktohet edhe sot, nesër, por edhe të shtunën. Për çdo rast, e njëjta do të thirret në kohë që të jetë në kuadër të asaj që partitë politike me shkrim më njoftuan, se pajtohen të veprohet ndaj shkarkimit të Katica Janevës nga PSP-ja”, tha Xhaferi.
Nga ana tjetër, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kanë mbledhur nënshkrime që seanca të thirret sot.
“Kërkojmë që nga sot të thirret seancë urgjente dhe e dyshuara Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni i saj, që të mund të lihet hapësirë që deri më 15 shtator, të zgjidhet prokuror i ri special”, tha deputeti Nikolla Micevski.
Shkarkimi i Janevës në seancë plenare vjen pasi që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime javën e kaluar e miratoi raportin e Këshillit të Prokurorëve Publikë, me të cilin kërkohet shkarkimi i saj. Ajo është e dyshuar në rastin “Reket” të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkohë, ende nuk ka marrëveshje mes pushteti dhe opozitës për Ligjin për Prokurori Publike me të cilin definohet statusi i PSP-së. Nga kjo e fundit sot kanë shprehur gatishmërinë që t’i dorëzojnë lëndët bashkë me dokumentet dhe dëshmitë në Prokurorinë Themelore Publike.