Medalja e “Mirënjohjes Publike” iu dha sot Donald Tusk, president i Këshillit Evropian, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Por në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pasi e falenderoi për medaljen, Tusk tha se medalja më e madhe për të do të ishte hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Presidenti i BE-së theksoi se vendi ynë është më pranë objektivit të çeljes së negociatave. Ai kërkoi që Shqipëria të trajtohet me respekt ashtu si çdo vend tjetër i Ballkanit.
Sipas Tusk, anëtarësimi i Shqipërisë në BE është në dobi të të gjithë Evropës dhe në këtë aspekt, askush nuk po i bën askujt ndonjë nder.
“Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin e të gjithë Evropës, pasi nuk mund të ketë Evropë të sigurtë dhe stabël pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. Këtu bëhet fjalë për rëndësinë madhore të së ardhmes tonë të përbashkët dhe kjo do të thotë se askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, u shpreh Donald Tusk.Sa i përket sundimit të ligjit, presidenti i KE-së tha se kjo do të jetë detyrë e Shqipërisë edhe kur të jetë anëtare e BE-së.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi Tusk si avokat të procesit të zgjerimit dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE.
Duke i akorduar Presidentit të KE “Yllin e Madh të Mirënjohjes”, si shenjë vlerësimi për punën e tij në procesin e integrimit, Rama tha se ai ndodhet në Shqipëri për të dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Përtej të zakonshmes, jam shumë mirënjohës për vizitën e Presidentit Tusk, i cili rikthehet në Shqipëri dhe është sot këtu në funksion të asaj që ka qenë një prej pikave të palëvizshme të lidershipit të tij, procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Nga ana tjetër, më vjen mirë që sot pata ta falënderoj Tusk për gjithçka ka bërë dhe gjithashtu të ndaj me të një moment të veçantë për ne, duke i akorduar “Yllin e Madh të Mirënjohjes” dhe duke ndarë disa momente të rëndësishme jo vetëm simbolikisht në historinë e përbashkët mes dy vendeve.
Më vjen mirë ta nënvizoj edhe qartësinë në të cilën presidenti Tusk është shprehur gjithnjë në këtë proces dhe pa diskutim të çmoj para të gjithëve përpjekjet konstante si një avokat i procesit të zgjerimit dhe të afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Sot më e rëndësishme për qytetarët tanë është të dëgjojnë çfarë ka për të thënë Presidenti Tusk, i cili është këtu për të folur për ta dhe për të dhënë një mesazh për ta”, tha Rama.