Kryetari i Këshillit evropian, Donald Tusk nga Tirana dërgoi porosi të qartë se Bashkimi Evropian duhet të hapë negociata me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Vendimi i tillë, sipas tij, nuk është nder për askënd, por domosdoshmëri për paqe dhe stabilitet në Evropë.
“Çdoherë kam qenë i mendimit se BE-ja duhet t’i hapë negociatat dhe unë nuk jam penduar dhe vazhdoj ashtu të mendoj. Vendi i juaj duhet të trajtohet njëjtë si vendet e tjera në rajon. Nuk mund të ketë Evropë stabile pa integrimin e Ballkanit në BE. Kjo do të thotë se askujt nuk i bëhet nder, por kjo është domosdoshmëri”, deklaroi Tusk në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Lidhur me zbatimin e ligjit, Tusk tha se kjo do të jetë obligim i Shqipërisë edhe kur ajo të bëhet anëtare e BE-së.
Kryeministri Edi Rama para gazetarëve e ka dekoruar kryetarin e Këshillit të Evropës me medalje “Ylli i madh i falënderimit”, duke e quajtur “avokat të procesit të zgjerimit dhe afrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor me BE-në”.
Sipas Ramës, Tusk ka arritur në Tiranë që të japë “porosi të qartë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”.
“Më paraqet kënaqësi ta theksoj qartësinë me të cilën kryetari Tusk çdoherë është shprehur në këtë proces dhe pa dyshim i vlerëson përpjekjet e vazhdueshme si avokat të procesit të zgjerimit dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Puna më e rëndësishme për qytetarët tanë sot është të dëgjohet se çka ka për të thënë kryetari Tusk, i cili është këtu të flasë për ta dhe të dërgojë porosi deri te ata”, tha Rama.
Duke u falënderuar, Tusk tha se është krenar për dekorimin dhe shtoi se për të “medalje më e madhe do të jetë hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në”.
“Shumë jam krenar që e mora këtë medalje. Ju thatë se e meritoj, por për mua, medalja më e madhe do të jetë hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë”, tha Tusk.
Kryetari i Këshillit të Evropës në Tiranë arriti pasdite, me ç’rast u takua vetëm me kryeministrin Edi Rama.