Miratimi i Ligjit për Prokurori Publike nuk është kusht formal i BE-së për marrjen e datës për fillimin e negociatave, thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, por miratimi i këtij ligji, me konsensus politik, do të dërgonte mesazhin drejt vendeve anëtare për unitet sa i përket vazhdimit të reformave, luftës kundër korrupsionit të lartë dhe se lëndët që burojnë nga përgjimet e paligjshme nuk do të zhbëhen.
Osmani, optimist se ligji mund të miratohet së shpejti, pasi, siç tha, palët kanë afruar qëndrimet dhe se dallimet janë thjesht teknike.
“Ligji për Prokurori Publike, vis a vis BE-së, nuk është kusht formal apo etapë formale e shënuar në ndonjë raport, në ndonjë dokument, por është pritje serioze nga shumë vende anëtare që do të ndikojë në vendimin për fillimin ose jo të bisedimeve. Duhet ta miratojmë këtë ligj për shkak të parimeve të domosdoshme që kërkon edhe BE edhe ne, që të ketë prokurori që do të merret me korrupsionin e lartë dhe asnjë rast i Prokurorisë Speciale, përkatësisht që buron nga përgjimet e paligjshme, të mos humbasë për asnjë arsye, por të zbardhet në procedurë”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Edhe VMRO-DPMNE konsideron se miratimi i këtij ligji nuk është kusht formal për marrjen e datës, por për dallim nga Osmani, konsiderojnë se pushteti nuk ka plotësuar pritshmëritë e opozitës, prandaj nuk mund të parashikojnë miratimin e këtij ligji.
“Ajo që shohim është se pushteti nuk ka dhënë atë që pritej nga ajo, prandaj nuk mund të parashikohet. Dinamika e takimeve sa i takon përgatitjes së një teksti, të pranueshëm për të gjithë, për Ligjin për Prokurori Publike, varet nga propozuesi, nga Ministria e Drejtësisë”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Pritshmëritë që projekt/ligji të miratohej para 15 shtatorit, u tejkaluan. Procesin nuk e ndihmoi as takimi i fundit Zaev-Mickovski, i cili rezultoi pa kompromis. Për efektin e mundshëm negativ në procesin e integrimit palët ia hodhën përgjegjësinë njëra-tjetrës.