Ish-prokurorja speciale, Katica Janeva edhe 30 ditë të tjera do të mbetet në Shutkë, pasi që për këtë ka vendosur Gjykata Penale pas kërkesës së Prokurorisë.
“Këshilli penal pranë Gjykatës penale në Shkup, duke vepruar në bazë të propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e kimit të organizuar dhe korrupsionit për vazhdimin e masës së paraburgimit, të përcaktuar me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake më 21.09.2019, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të propozimit, ka sjellë vendim me çka e miraton propozimin dhe i vazhdon masën e paraburgimit Katica Janevës edhe për 30 ditë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Penal.
Ndërkohë sa i përket kërkesë së mbrojtjes që Katica Janevës t’i hiqet masa e paraburgimit dhe t’i shqiptohen masa të kujdesit me garanci të ofruar deri te gjykatësi i gjykatës paraprake, kërkesa është dërguar për mendim tek prokurori publik kompetent, dhe pas vendimit të gjykatës, palët dhe opinioni do të njoftohen plotësisht.