Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi, në intervistën për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij në Uashington, shpjegoi se vetingu do të ishte institucionalizim i pastërtisë së figurave të personave publikë në çdo sferë. Grubi është shprehur optimist për marrjen e datës në tetor, sepse, sipas tij, i ka mbaruar detyrat e shtëpisë, madje me ndihmën e opozitës u miratuan edhe një sërë ligjesh reformuese veçmas në gjyqësor, në fushën e Antikorrupsionit.
“Jemi parti e vetme, jo vetëm në vend, por edhe në rajon, e cila ka kërkuar zyrtarisht me letër dhe vendim të kryesisë sonë, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Speciale që të hetojë të gjithë funksionarët e BDI-së nga viti 2002 deri më sot për keqpërdorime eventuale. Është i patjetërsueshëm vetingu edhe në politikë dhe në drejtësi dhe patjetër duhet të kemi institucionalizim të pastërtisë së figurave të personave që pretendojnë t’i shërbejnë qytetarit dhe jo qytetari t’u shërbejë atyre”,- tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi.