Shtetet e Bashkuara njoftuan tërheqjen e ndihmës për Afganistanin në vlerë 160 milionë dollarë, duke akuzuar Kabulin për korrupsion të shfrenuar.
Vendimi vjen në më pak se 10 ditë para zgjedhjeve të rëndësishme presidenciale.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha përmes një deklarate se Uashingtoni po kthen mjetet përsëri në arkën e SHBA-së.
Këto para ishin caktuar për një projekt të madh të infrastrukturës energjetike afgane.
Lidhur me këtë vendim, Pompeo përmendi “korrupsionin e qeverisë afgane dhe keqmenaxhimin financiar” si dhe “paaftësinë e Kabulit për të menaxhuar në mënyrë transparente burimet e qeverisë amerikane”.
Masa vjen në kohën kur presidenti afgan, Mohammad Ashraf Ghani, po synon një mandat të dytë në zgjedhjet që mbahen më 28 Shtator.
Autoriteti Kombëtar i Prokurimit në Afganistan ka dështuar “të përmbushë standardet për transparencën dhe përgjegjshmërinë në menaxhimin e financave publike”, tha Pompeo.
Që nga viti 2001, Afganistani ka marrë më shumë se 93 miliard dollarë ndihmë amerikane, sipas Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).