Ish drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski, ka mohuar përfshirjen e tij në aferën e përgjimeve apo marrjen e materialeve nga dy punonjësit e DSK-së, Gjorgji Llazarevski dhe Zvonko Kostovski, të cilët më parë kishin deklaruar se bisedat e përgjuara i kishin regjistruar në fshehtësi dhe më pas ia kishin dorëzuar Verushevskit. Në vazhdimin e seancës për rastin “Target Tvrdina”, Verushevski tha se “bombat “ nuk i janë dorëzuar atij, por LSDM-së dhe se ai ka marr pjesë në përpunimin e tyre. Ai ka thënë se me Kostovskin madje as nuk ka biseduar fare për materialet e përgjuara.
Unë nuk kam siguruar kurrfarë bisedash, apo dokumente tjera. Gjithçka që vinte në parti si dokumente ishte obligim i imi që lidershipi më pas të ndërtoj strategji politike…Gjorgji Llazarevski ishte një nga personat që sillte dokumente në parti. Ai i ka sjell materialet para kthimit tim nga Italia në Maqedoni ndërsa ka vazhduar edhe në vitin 2014. Dokumentacioni tërë kohën ishte në parti dhe ato menaxhoheshin nga kryetari i partisë…Në vitin 2010 kam marrë informatat e para për bombat. Mbetem në dëshminë që kam dhënë para prokurorit për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit për rastin Puçi”-tha Zoran Verushevski, ish drejtor i DSK-së.
Verushevski në dëshminë lidhur me këtë rast tha se ka qenë përgjegjës për sigurinë në LSDM dhe se ka marrë informacione të ndjeshme.
Deri në arrestimin tim, këtë detyrë e kam kryer në përpikëri dhe të gjitha informatat që vinin në parti kishin trajtim të njëjtë. Pas arrestimit tim, dokumentet nuk ishin më nën përgjegjësinë time”-theksoi Zoran Verushevski, ish drejtor i DSK-së
Por, për dallim nga Verushevski, Llazarevski dhe Kostovski në dëshmitë e tyre në detaje kanë përshkuar rolin e Verushevski në nxjerrjen e bombave nga DSK-ja.
Momenti kyç kur vendosëm me Zvonkën se diçka duhet të ndërmerret ishte ndërhyrjen në televizionin A1… Për një apo dy javë kemi përpunuar sistemin e nxjerrjes së materialeve. Për herë të parë Zvonko ka nxjerrë biseda nga fundi i vitit 2010. Gjithçka ishte dërguar tek unë. Pastaj ia dorëzova Verushevskit”-pohoi Gjorgji Llazarevski, ish agjent DSK-së.
Më 6 nëntor të vitit 2018 Llazarevski ka thënë se ai dhe Kostovski kanë mësuar mënyrën e nxjerrjes së të dhënave nga bisedat e përgjuara të cilat ishte ilegale dhe në numër të madh.
Ndërkohë Verushevski në dëshminë e tij ka thënë se edhe Branko Crvenksovski ishte i njoftuar me një pjesë të dokumentacionit deri sa ishte në krye të LSDM-së. Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve të mbikëqyrjes së komunikimit në DSK, 4.286 numra telefoni janë përgjuar në mënyrë të paligjshme ndërmjet viteve 2008 dhe 2015 për të cilat nuk është lëshuar asnjë urdhër gjyqësor.