Takim i Kryetarit Xhaferri me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Cereteli

Në kuadër të Takimit të katërt të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Evroazisë në temën: “Evroazija e madhe: Dialog. Besim. Partneritet.”, që mbahet më 23 deri 24 shtator të vitit 2019 në Nur Sultan, Republika e Kazakistanit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, realizoi takim me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Cereteli. Në takim merrnin pjesë, Enes Ibrahim, deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Paskal Alizar, nënkryetar i AP të OSBE-së dhe senator nga Franca.

Marketing

Në takim u bë fjalë për thellimin e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kësaj Asambleje Parlamentare, që është organizata e vetme parlamentare në strukturën e OSBE-së dhe ka rolin vital ndërmjet pjesës qeveritare të OSBE-së dhe përfaqësuesve që janë të zgjedhur drejtpërdrejt prej qytetarëve.

Kryetari Xhaferi theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut vlerësohet lartë roli i OSBE në zhvillimin e proceseve demokratike në vend, sidomos aktivitetet e Misionit të OSBE-së në Shkup, që bashkëpunon ngushtë me Kuvendin, me qëllim të përforcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik, si edhe avancimit të barazisë gjinore. Ai foli për perspektivat e proceseve eurointegruese të Maqedonisë Veriore dhe për zbatimin e reformave themelore në shumë fusha strategjike ku Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka luajtur rol kryesor.

Kryetari i AP të OSBE-së Cereteli, drejtoi urime për vendimet e guximshme dhe për reformat që i realizoi Republika e Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se shumë vende e shohin vendin si shembull pozitiv për zgjidhjen e suksesshme të konflikteve në përputhje me parimet e Aktit final të Helsinkut të OSBE-së. Ai vlerësoi se anëtarësimi i vendit tonë në NATO dhe fillimi i negociatave aderuese me BE-në do të kontribuojë për stabilitetin e përgjithshëm dhe prosperitetin e shtetit dhe rajonit. Kryetari Cereteli informoi për aktivitetet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe vlerësoi se të gjitha vendet pjesëmarrëse në OSBE duhet të punojnë në përmbushjen e angazhimeve të Organizatës, me ç’rast e potencoi rolin e parlamentarëve në këtë plan. Cereteli foli për mekanizmat e ndryshme të AP të OSBE -së dhe rolin e përfaqësuesve specialë duke paralajmëruar se Përfaqësuesi special për Evropën Juglindore, Mark Priçard në kohën më të shkurtër do të realizojë vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në takim u bë fjalë edhe për aktivitetet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe të OSBE/ODIHR për mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast u shpreh gatishmëri për zbatimin e tërësishëm të rekomandimeve për përmirësimin e procedurave zgjedhore.

Në fund të takimit, Kryetarët Xhaferi dhe Cereteli u pajtuan se bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së duhet të vazhdojë edhe në të ardhme.