Pasojat mendore të frikës nga tërmetet do të ndihen pas disa javësh, thonë psikiatrët.
Arjana Rreli, psikiatre, tregon simptomat që na shqetësojnë në këto raste.
“Pothuaj gjysma e personave që kanë vuajtur stresin postraumatik, fillojnë të shfaqin shenja të çrregullimit. Ne aktualisht jemi në stres akut normal. Kur kalojnë 4 javë, atëherë rrezikojmë që ne të bëjmë çrregullim të stresit akut pas traumës. Pas 4 javëve te njeriu nuk shkrihet gjendja traumatike si çdo gjë që ka kurbën e vet, bie edhe intensiteti i përjetimit të traumës dhe parashikohet që shumica jonë të kalojë në normalitet”, shprehet ajo.
Rreli tregon se gjumi i shqetësuar, vizione të traumës vazhdojnë të përsëriten e janë të pranishme dhe njerëzit bëhen më nervozë dhe indiferentë, si rezultat i çrregullimit të sistemit nervor, për çka duhet kërkuar ndihma e profesionistëve.
“Fëmijët e vuajnë shumë më tepër traumën. Pothuajse të gjithë nuk e kanë në përvojën e vet. Fëmija e ka fantazinë shumë të zhvilluar, ai mund ta amplifikojë stresin e vet me imazhe dhe përjetime që mund të lënë shenjë për jetën e tij për t’u shfaqur më vonë si çrregullim mendor”, shprehet Rreli.
Ajo thotë se prindërit duhet të gjejnë fillimisht qetësinë brenda tyre, pasi një reagim i gabuar mund të ketë më vonë një kosto të lartë.
“Prindi duhet të ruajë qetësinë e tij, t’i mbajë pranë vetes fëmijët, të flasin për këtë fenomen natyror”, tha ajo.
Bujë bëri rasti i një zonje nga fshati Domje që u hodh nga veranda me djalin 6-vjeç në krahë.
Rreli shpjegon këtë duke thënë se njerëzit janë të ndryshëm dhe secili bën zgjidhjen e tij të momentit.
“Kjo traumë përveçse na gjeti të papërgatitur, na gjen edhe në terren të stresorëve të tjerë që bën të humbim kontrollin dhe të na kapë paniku i momentit. Në tentativë për të shpëtuar ne i shkojmë një ekstremi tjetër, duke u vetë-dëmtuar. Ne nisemi nga instinkti i parë i mbrojtjes. Edhe nëna vrapoi për të mbrojtur fëmijët dhe veten. Qetësia dhe menaxhimi i stresit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm një fjalë për t’u thënë”, tha psikiatria./tch/