Prej takimeve të para që ka kryer kryeministri i ri grek Kyriakos Mitsotakis në Nju York në kuadrin e sesionit të 74 të asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka qenë ai me homologun shqiptar Edi Rama.
Qysh në fillim kryeministri grek ka pyetur atë shqiptar për gjendjen në Shqipëri pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin ditën e shtunë.
Mitsotakis- Si është gjendja me tërmetin?
Rama- Për fat të mirë pa viktima. Por me shumë dëme. Nuk është e lehtë.
Mitsotakis- Ku ishte epiqendra e tërmetit?
Rama – Ishte në det 30 km nga Tirana. Ishte shumë i fuqishëm. Tani po bëjmë vlerësimin e gjendjes. Mund të nevojitet të trokasim në derën tuaj pas disa ditësh për ndihmë. E kemi bërë edhe më parë.
Të dy kryeministrat diskutuan per marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin e Shqipërisë në BE në prag të Samitit të lartë të tetorit. Janë diskutuar çështje për të cilat Athina ka kërkuar përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE, përfshirë ato që lidhen me të drejtat e pakicës kombëtare greke në Shqipëri.
Në veçanti Z. Mitsotakis ka theksuar çështjen e së drejtës së vetë përcaktimit si dhe të së drejtës pronësore të minoritetit grek si kusht kryesor i mbështetjes greke, ndërsa ka përsëritur se Athina zyrtare vazhdimisht favorizon rrugën europiane të Tiranës.
Sipas burimeve qeveritare greke zoti Rama ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Greqinë për çështjet me interes të veçantë për Athinën.
Mitsotakis dhe Rama kanë rënë dakord të shkojnë në diskutime më të gjera për çështjet dypalëshe në Samitin Euro-Arabik në Athinë më 29-30 Tetor 2019./TCH/