Irani e ka kundërshtuar një deklaratë të përbashkët të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët e fajësuan republikën islamike për sulmet në stacionet e naftës në Arabinë Saudite.
Ministri i jashtëm Iranian, Javad Zarif, i akuzoi këto shtete se po i miratojnë pa menduar fare akuzat absurde të Shteteve të Bashkuara.
Liderët evropianë thanë se nuk ekziston ndonjë sqarim tjetër i besueshëm për këto sulme, të cilat e përgjysmuan prodhimin e naftës në Arabinë Saudite.
Sidoqoftë, ata shtuan se mbesin të përkushtuar në respektimin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015 lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Përgjegjësinë për sulmet në Arabinë Saudite i kanë marrë rebelët e grupit “Houthi”, të cilët besohet se kanë lidhje me Iranin, ndërsa ky shtet e ka mohuar përfshirjen në to.
Tetëmbëdhjetë dronë dhe shtatë raketa u përdorën për t’i sulmuar një fushë nafte dhe një qendër për përpunimin e karburanteve.
Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu e kanë fajësuar Iranin për këto sulme, ndërsa presidenti amerikan ka marrë vendim që të dërgojë trupa shtesë në Gjirin Persik për ta forcuar sigurinë në këtë rajon, shkruan “BBC”