Presidenti Donald Trump dënoi Iranin dhe u bëri thirrje vendeve të tjera t’u bashkohen Shteteve të Bashkuara për t’i bërë presion Iranit pas sulmeve ndaj objekteve të naftës Saudite, por shtoi se ekziston një rrugë drejt paqes.
“Ne duam partnerë, jo kundërshtarë”, tha Presidenti Trump në një fjalim para udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i treti që ai mban në OKB.
Presidenti Trump pati gjithashtu një mesazh të ashpër për Kinën dhe presidentin e saj, Xi Jinping, duke thënë se bota po shikon sesi Pekini po i trajton demonstratat masive në Hong Kong.
“Mënyra që do të zgjedhë Kina për ta trajtuar situatën do të flasë mjaft për rolin e saj në botë në të ardhmen. Ne të gjithë shpresojmë se Presidenti Xi do ta tregojë veten si një udhëheqës i madh,” tha ai.
Sulmet e 14 shtatorit në Arabinë Saudite kanë tronditur Lindjen e Mesme dhe kanë ngritur shqetësime për një luftë më të gjerë. Presidenti Trump është treguar i përmbajtur në këtë krizë, duke qëndruar larg kundërpërgjigjes me masa ushtarake, të paktën tani për tani.
“Të gjitha vendet, – tha Presidenti Trump,- e kanë për detyrë të veprojnë. Asnjë qeveri e përgjegjshme nuk duhet të subvencionojë dëshirën e papërmbajtur të Iranit për gjak. Për sa kohë që sjellja e rrezikshme e Iranit vazhdon, sanksionet nuk do të hiqen, por do të forcohen,” tha ai.
Teherani është fajësuar gjerësisht për sulmet në Arabinë Saudite por ai mohon përfshirjen. Javën e kaluar, Presidenti Trump i forcoi sanksionet ekonomike ndaj Iranit dhe urdhëroi stacionimin e më shumë trupave amerikane në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. /voa