Policia e Kosovës arreston katër persona për kultivim të narkotikëve

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona, të cilët dyshohen se kanë tentuar krijimin e laboratorëve artificial për përpunimin dhe kultivimin e substancave naroktike të llojit kanabis. Katër personat me urdhër të prokurorit janë arrestuar, dhe të njëjtit janë duke u intervistuar në zyrat e PK-së.

Marketing

Policia e Kosovës, në një konferencë të jashtëzakonshme ka njoftuar sot që si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë zbuluar dy laboratorë të sofistikuar dhe kamufluar mirë për përpunimin e lëndëve narkotike.

Njësitet e antidrogës në PK kanë arritur të kapin një grup kriminal të fshehtë, që në vazhdimësi tentonte të krijonte kushte për laboratorë të tillë.

Drejtori i Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë, nënkolonel Bahri Shala tregoi detaje të operacionit të PK-së.

”Drejtoria për Hetimin e trafikimit me narkotikë ka filluar një hetim me hetim të fshehtë lidhur me një grup kriminal i cili në vazhdimësi tentonte të krijonte kushte laboratorë artificial për përpunimin dhe kultivimin e substancave naroktike të llojit kanabis. Pas një hetimi katër mujor, sot kemi ndërmarrë një operacion në orët e pasdites në lidhje me identifikimin dhe zbulimin e lokacionit të këtyre laboratorëve, të cilët ishin përgatitur për kultivim të substancave narkotike. Lidhur me këtë zyrtarët e antidrogës pas një pune operative në teren kanë arritur që të identifikojnë dy laboratorë, njërin në fshatin Dabishevc, Komuna e Prishtinës si dhe një në qytetin e Prishtinës”, tha ai.

Ai tha katër personat janë arrestuar dhe janë duke u intervistuar në zyrat e policisë.

“Përveç këtyre laboratorëve të cilëve janë identifikuar dhe intervenuar, brenda janë gjetur mjete të cilat janë krijuar apo përdorur me qëllim që brenda hapësirave të një bodrumi të një shtëpie dhe një shtalle janë mbjellë bimë të kanabisit. Gjatë këtij operacioni janë siguruar prova materiale siç e patë edhe përmes video-filmit, ku si dëshmi në njërin laborator janë gjetur 130 bimë të kanabisit në bodrumin e shtëpisë, ndërsa në laboratorin e dytë ka qenë përgatitje për të rritur e kapacitetin e bimëve të kanabisit. Me urdhër të prokurorit, katër persona janë arrestuar me iniciale N.D, A.M, A.B dhe F.B, të cilët për momentin janë duke u intervistuar në zyrat e policisë, ndërsa operacioni është në vazhdim të konfiskimit edhe të provave tjera materiale”, tha ai.

Ky operacion policor është autorizuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe ka përfshirë edhe disa kontrolle dhe bastisje të shtëpive të ndryshme.