Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut të marten ka ngritur akuza ndaj një gazetari të një portali për shkak të publikimit të sekretit zyrtar. Prokuroria bën të ditur se muajin e kaluar nga seanca dëgjimore e biznesmenit Jordan Kamçev opinionit publik i janë paraqitur të dhëna të klasifikuara, me ç’rast është shkelur kodi penal. Prokuroria nuk thotë, megjithatë se kush i nxori të dhënat, apo kush ia dorëzoi gazetarit tashmë të akuzuar, Aleksandar Mitovski të portalit Infomax.
Gazetari maqedonas i ka thënë medias në Shkup se nuk ishte i habitur me veprimin e prokurorisë, të cilin e shikon si përpjekje për frikësimin e gazetarëve. Ai ka pohuar se në dokumentin që e ka publikuar nuk qëndronte të ishte i klasifikuar, nëdrkohë që ka paralajmëruar se do të ankohet tek organizatat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, vepra penale për nxjerrjen e sekretit zyrtar sipas kodit penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut parasheh dënim prej tre muaj deri në pesë vjet burg.
Gazetari Mitovski dhe portali Infomax njihen për qëndrimet antiqeveritare dhe për afërsinë me partinë opozitare VMRO-DPMNE. Në shkrimin e publikuar para pak javësh ku nxirrej një pjesë e procesverbalit të rastit gjyqësor të njohur si “Zhvatja” e që ishte dëshmi e biznesmenit Jordan Kamçev, gazetari shkruante për përfshirjen e Kryeministrit Zoran Zaev në këtë skandal, ndonëse në dokumentin e dalë nga prokuroria emri i kryeministrit maqedonas nuk figuronte askund.
Organizatat e gazetarëve dhe komuniteti ndërkombëtar nuk kanë komentuar ende në lidhje me vendimin e prokurorisë maqedonase.