Në Kosovë sot ka filluar fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Kandidatët për kryeministër kanë zgjedhur vendet e tyre simbolike për të mbledhur simpatizantët e tyre, apo edhe i janë drejtuar masës me mesazhe nëpër rrjetet sociale, njoftoi Klan Kosova.
Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurti, ka hapur fushatën nga menza e Ramiz Sadikut në Prishtinë, me shumë të rinj të cilëve ia bëri edhe premtimet paraprake.
“Po ju flas këtu prej menzës “Ramis Sadiku” . Është fantastike të shohësh se sa shumë të rinj janë bërë bashkë sepse interesohen për politikën. Merrni pjesë në dëgjim, sepse ju bëni dhe e përbëni ndryshimin. Arsimi, puna, përparimi janë fokusi jonë për juve”, theksoi Kurti. Fatmir Limaj, kreu i Nismës njëherit edhe kandidat i kësaj partie për kryeministër iu drejtua qytetarëve përmes një postimi në facebook. “Po futemi në periudhën e fushatës zgjedhore, andaj para neve dhe juve shtrohet angazhimi dhe përgjegjësia e organizimit të një fushate të ndershme, demokratike, me integritet dhe të bazuar në ligj, duke respektuar plotësisht Kodin e Mirësjelljes, për të krijuar kushte për zgjedhjen e përfaqësueseve tanë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, ka nënvizuar Limaj.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli iu drejtua qytetarëve përmes rrjeteve sociale, veçse ai me një video-selfie. “Ju ftoj ta mbështesin Partinë Demokratike të Kosovës. Ne e ndërtojmë të ardhmen” ishin fjalët e Veselit. Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj nga SHBA-të u drejtua me një mesazh.
“Edhe pse larg, jam mes bashkatdhetarëve tanë, që me zemër janë në Atdhe dhe nga ta po marr mbështetje të parezervë për vendimet e mëdha që ia rikthyen qytetarit të Kosovës, dinjitetin dhe ndjenjën e krenarisë”, ka theksuar Haradinaj. Ndërsa LDK-ja mblodhi qytetarët në një tubim në selinë qendrore të saj në kryeqytet. Nga aty kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani tha do të shënojë fitore historike.