Zyrtari i FSHF-së zbulon sa kushtoi “Arena Kombëtare” dhe detaje të tjera

Anëtari i komitetit të FSHF-së, Arben Dervishaj, ndau disa detaje interesante rreth ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar. I ftuar në “Pressing” të ABC News, ai tregoi se kostoja totale e stadiumit shkon rreth 75 milionë Euro.

Marketing

Në kontratën e lidhur me kompaninë që po ndërton stadiumin, Dervishaj tha se FSHF do të jetë pronare e stadiumit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në pronësi të kompanisë.

“Deri tani sa di unë, kostoja totale do shkojë diku te 75 milionë Euro. Kapaciteti 22 mijë të ulura neto, spektatorë. Kostoja nuk është për ne. Është për ata që ka hedhur lekët. Kontrata është e tillë që ajo i merr ambientet vetë. Ne na tranferohen stadiumit dhe ambientet e saj ndërsa pjesën tjetër e ka kompania tjetër në pronësi. Kjo është formula e bashkëpunimit”, tha ai.

Përsa i përket emrit nëse do quhet “Arena Kombëtare” apo jo, Dervishaj theksoi se mund të ndryshohet duke qenë se emri është subjekt marketingu.

“Emri është subjekt marketingu. Ajo do bëhet me ankand. Nuk e vendos unë. Emri siç janë të gjitha stadiumet në botë është subjekt i marketingut. Ata do ta vendosin janë shoqëria “Kuqezi” që vendosin nëse e shesin apo jo. Procedura do të jetë në formën e ankandit. Ai që ofron më shumë ai do të marrë dhe ankandin”, tha Dervishaj.

Dervishaj tregoi se si po vazhdojë punimet dhe se si do të ndahen disa nga ambienetet e “Arenës Kombëtare”. Në qershor pritet që fusha të jetë gati.

“Tribuna e gazetarëve është menduar të ketë 160 gazetarë në ndeshjet e kategorisë A. Ambientet do të jenë më të mira se në Shkodër. Tribuna e gazetarëve do të jetë mbi tribunën VIP.

Në këto momente vazhdohet të punohet. Fusha fillon në muajin Mars se atëherë është dhe periudha më e mirë për të mbjellë barin. Tapeti do porositet që tani që të jetë gati për në Mars që të instalohet. Nga Marsi në Qershor është kohë e mjaftueshme që ai bar të stabiliziohet që të luhen ndeshjet.

Nuk ndodhi ndonjë gjë, punimet nuk janë shtyrë aq shumë. Ne na vonoi shkalla monumentale se në projektin e parë nuk ishte dhe ne na detyroi të ndryshonim planin. Në pjesën veriore të stadiumit, në gërmie bazamenti doli më i dobët dhe u detyruam të shkonim një kat më poshtë. Kjo na vonoi që na kërkon këtë kohë. Nuk është se ka vonesa për gjëra të tjera.

Stadiumi është i mbuluar në të gjitha tribunat. Biles tribunat janë mbuluar më shumë se stadiumet e tjera. Asnjë nga rrjeshtat e parë nuk mund të lagen. Fusha nuk do mbulohet. Kemi pororsitur mbulesë që do përdoret për të mbuluar fushën në raste kur ka shtrëngatë apo bie borë”, tha anëtari i Komitetit të FSHF-së.

Përveç ndeshjeve të futbollit, “Arena Kombëtare” do shërbejë edhe për koncerte apo aktivitete të tjera të ndryshme. Përveç kësaj, Dervishaj theksoi se stadiumi më modern në Shqipëri do t’i ketë dyert e hapura për ekipet e kryeqytetit.

“Ndeshjet i zhvillon federata jo stadiumi. Ky stadium do funksionojë si ekonomi. Do krijojë të ardhura. Përveç të ardhurave nga ndeshjet do nxjerrë dhe të ardhura të tjera sepse ka kosto. Zoti Bardhyl Minxhozi do menaxhojë stadiumin dhe është menduar të zhvillohen koncerte.

Në atë stadium kombëtarja do lozë. Ekipet e kryeqytetit natyrisht e kanë të hapur për të luajtur. Tirana ka një stadium, mesa di unë ka dhe në plan për ta rregulluar. Partizani hë për hë nuk ka një stadium, por ka nisur për të pasur një misnitadium. Derbi do ta shijojmë në stadium tamam me të gjitha kushtet”, tha ai.