Johnson kthehet në Britani teksa kriza e Brexitit thellohet

Kryeministri britanik, Boris Johnson është kthyer të mërkurën në Mbretërinë e Bashkuar, teksa përballet me thirrjet e kundërshtarëve të tij për dorëheqje, pas vendimit të Gjykatës Supreme, se vendimi i tij për të pezulluar punën e parlamentit ka qenë i paligjshëm.

Marketing

Ndonëse ende nuk ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Johnson ka thënë se shteti i tij do të largohet me apo pa marrëveshje nga blloku evropian më 31 tetor.

Shumica e ligjvënësve në anën tjeër janë të vendosur se do ta bllokojnë skenarin e Brexitit pa marrëveshje.

Parlamenti pritet të rifillojë punimet të mërkurën, mirëpo ende nuk është e qartë se si do të veprohet në çështjen e Brexitit.

Para pezullimit të punës, parlamenti britanik pati miratuar një ligj që detyron kryeministrin Johnson t’i kërkojë BE-së shtyrje të afatit për largim përtej 31 tetorit, në rast se nuk arrihet një marrëveshje në Britani para 19 tetorit.

I pyetur nga gazetarët në Nju Jork të martën, për atë se si planifikon të tejkalojë këtë pengesë ligjore, Johnson ka injoruar pyetjen, duke insistuar se procesi i Brexitit do të finalizohet më 31 tetor, pavarësisht mënyrës.

Ai ka përsëritur vazhdinisht se preferon një Brexit me marrëveshje dhe ka qenë optimist se një gjë e tillë mund të arrihet.

Megjithatë, negociatorët evropianë kanë thënë se pala britanike ende nuk ka bërë propozime të reja se si mund të menaxhohet kufiri në mes të Irlandës, vend anëtar i BE-së dhe Irlandës Veriore, që është pjesë e Britanisë, pas procesit të Brexitit.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.