FC Saraj me Logo të Re

Shkolla e Futbollit Saraj prezantoi Logon e Re. Kjo pasi kryesia e këtij klub vendosi që të ndërroj logon e mëhershme nën arsyetimin se ajo nuk përmbante elemente përmes të cilave identifikohej klubi në fjalë. Ideatori i Logos së Re, Demir Gajni theksoi se në Logon e Re të FC Saraj janë ngërthyer disa elemente që identifikojnë Sarajin, ai me këtë rast veçoi Urën e Hekurit që njihet si simboli i Sarajit.

Marketing

“Kjo është Logoja e Re e KF Saraj, është simboli përmes të cilit do të identifikohen futbollistët e Shkollës së Futbollit Saraj. Siç mund të shihni në këtë Logo janë ngërthyer dy ngjyra, e kaltërta dhe e bardha. Me këto dy ngjyra do të jenë edhe fanellat e reja të KF Saraj të cilat së shpejti do ti prezantojmë. Ndërkohë elementet të cilat i ngërthen në vete kjo Logo në një far forme na identifikojnë ne si KF Saraj por identifikojnë dhe Komunën e Sarajit. Në brendinë e Logës vërehet një hartë, që në fakt është territori i Komunës së Sarajit, që përbëhet nga gjithsejtë 24 vendbanime. Jo rastësisht e kemi vendosur këtë hartë, sepse përmes kësaj përcjellim mesazhin se dyert e klubit janë të hapura për të gjithë fëmijët nga të gjitha vendbanimet e Sarajit por dhe më gjerë. Yjet gjithashtu janë 24, që nënkupton se çdo vendbanimi i përket një yll. Ndërkohë kjo në mes është ura, Ura e Hekurit e Sarajit, që për ne paraqet simbolin përmes të cilit identifikohet Saraji në tërësi”, deklaroi ideatori i Logos, Demir Gajni.

Në Logo sipas ideatorit Gajni, janë përfshirë edhe dy lumenjtë që rrjedhin nëpër territorin e Sarajit dhe bashkohen pikërisht në Saraj, në Qendrën Rekreative Sportive, aty ku FC SARAJ i zhvillon stërvitjet.

“Dy vijat që i bashkon topi i futbollit, paraqesin dy lumenjtë që rrjedhin në territorin e Komunës së Sarajit, Lumi Vardar dhe Lumi Treska që bashkohen pikërisht këtu, në Saraj. Ngjashëm është edhe Logoja për ekipin e femrave, me disa ndryshime të vogla. Siç vërehet edhe në foto tek logoja për ekipin e femrave është hequr harta dhe në vend të saj është vënë një futbolliste. Kjo është sa i përket Logos së re të FC Saraj, urojmë që futbollistët e këtij klubi ta gëzojnë këtë logo, të tregojnë rezultate dhe ne të na bëjnë të ndihemi krenarë”, tha në fund Demir Gajni, ideator i Logos së Re të FC Saraj.