Ju keni bërë gjithçka që BE-ja kërkoi nga ju dhe mund të keni pritje pozitive për datë në tetor. Personalisht konsideroj se Maqedonia e Veriut do të marrë datë për fillim të negociatave inkuadruese. Keni pritur në këtë moment shumë gjatë, thekson në intervistë për MEDIAL-n, Eduard Kukan, i cili në korrik të këtij viti pas 10 vitesh të kaluara në Parlamentin Evropian e braktisi funksionin e eurodeputetit.
“Mendoj se kjo është pyetja më e rëndësishme në të cilën përgjigje presin jo vetëm qytetarët këtu në Maqedoninë e Veriut, por edhe shumë politikanë tjerë në mbarë Evropën. Tashmë nuk jam anëtar i PE-së dhe për atë mundem shumë më hapur të flas. Keni pitur shumë gjatë në këtë moment, absolutisht është e pabesueshme të bëheni vend kandidat 12-13 vjet dhe madje tani të merrni datë.
Por, të mos kthehemi prapa në histori. Ju gjithashtu keni pasur disa probleme. Të përfundoj, konsideroj se ju keni bërë gjtihçka që BE-ja kërkoi nga ju, me qëllim që të merrni datë për negociata. Kjo ishte thënë nga shumë politikanë të cilët e vizituan vendin tuaj, mes të cilëve edhe nga Donald Tusk, si dhe shumë shefa tjerë të rëndësishëm të qeverive të cilët thanë se Maqedonia e Veriut meriton datë”, thotë Kukan i pyetur se si i vlerëson perspektivat e samitit të tetorit të Këshillit Evropian të marrim datë për fillim të negociatave inkuadruese.
Ai është optimist, por megjithatë, siç potencon, shikuar nga përvoja e tij jetësore, do të besojë në atë vetëm kur të ndodh.
“Për atë të presim dhe të shohim. Por, Maqedonia e Veriut e meriton datën për shkak të zhvillimit të ngjarjeve në plan të brendshëm dhe të gjitha punët që i keni bërë që ishin të domosdoshme për të marrë datë. Besoj se ditën kur të merrni informata nga Brukseli do të festoni”, thekson Kukan.
Ai nuk pajtohet me qëndrimin e presidentit francez Emanuel Makron se së pari duhet të riformohet BE-ja nga brenda, ndërsa pastaj të vazhdojë zgjerimi, por në deklaratat e fundit të Makron vëren zbutje të pikëpamjeve të tij të ashpra.
“Kjo nuk do të ishte korrekte ndaj ju të cilët përfunduat aq shumë punë, ndërsa tani përnjëherë të thuhet – do j’u lëmë anash që të merremi me çështjet tona. Shumë njerëz, gjithashtu, nuk e ndajnë qasjen franceze dhe konsideroj se ai nuk do të mbajë fuqishëm një qëndrim të tillë. Dhe do të ishte turp nëse miratohet agjenda reformuese, ndërsa zgjerimi u anulua. Nuk konsideroj se kjo agjendë franceze do të pranohet nga vendet tjera anëtare. Edhe pse për vendime në BE nevojitet konsensuz, shpresoj se Franca do ta ndërrojë pozitën e saj, ndërsa e di edhe pse shumë nga politikanët tuaj u munduan që homologëve të tyre francez t’u sqarojnë dhe t’i bindin se sa i rëndësishëm është zgjerimi jo vetëm për vendin tuaj por edhe për tërë BE-në. Nëse ne nuk e bëjmë atë, do ta humbim kredibilitetin tonë, dhe tashmë filluam ta humbim sepse ne nga ju kërkuam rezultate, ju dorëzuat dhe kur është radha jonë ne tërhiqemi. Nuk guxojmë të luajmë me përgjegjësi të tillë politike të BE-së”, thotë Kukan.
Eduard Kukan i cili ishte pjesë e treshes së eurodeputetëve të obliguar për vendin tonë, në lidhje me ligjin e PP-së dhe luftën kundër korrupsionit, thotë se ato janë çështje shumë të rëndësishme të cilat KE-ja i ndjek me vëmendje të veçantë. Do të ishte mirë, thotë Kukan, ligji i PP-së të sillet para 16 tetorit, kur të mbajë mbledhje Këshilli evropian dhe kur pritet vendimi për hapje të negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut.
“E di që politikanët tuaj janë përfshirë dhe janë shumë të interesuar për këtë dhe se nuk janë çështje të lehta, por duke e marrë parasysh situatën në vend dhe ambicien e saj ta marrë datën për fillim të negociatave, konsideroj se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për faktorin koha, sepse tajmingu është sahumë i rëndësishëm”, thekson Kukan.
Për atë se çka duhet vendi të bëjë për të dhënë rezultate në fushën e korrupsionit dhe cili është qëndrimi i tij për rastin “Reket” eksperti sllovak për Ballkanin nënvizon se kjo është edhe një temë e cila shumë me kujdes ndiqet nga BE-ja dhe KE-ja dhe se vendet vlerësohen jo vetëm sipas asaj se sa mirë është ligjdhënia e miratuar, por sipas rasteve konkrete të zgjidhura të korrupsionit.
“Nevojiten rezultate konkrete, ndërsa jo debate teorike. Për rastin “Reket” të gjithë politikanët tuaj thonë se është shumë e rëndësishme të zgjidhet shpejtë dhe në mënyrë objektive të vërtetë, por edhe këtu sërish BE-ja pret të shikojë rezultate konkrete, ndërsa përgjegjësia politike për atë u përket liderëve tuaj”, thotë Eduard Kukan, i cili është ish shef i diplomacisë sllovake, në intervistë për MEDIAL-n që së shpejti do të publikohet në tërësi së bashku me videomaterialin nga biseda.
Vizita e Kukanit në Shkup është me rastin e Sesionit të tretë plenar të Konventës nacionale për BE-në në RMV, e cila është mbështetur edhe nga SlovakAid (mbështetja sllovake për zhvillim të cilin e koordinon Ministria sllovake për çështje të jashtme dhe evropiane), e cila do të mbahet sot, ndërsa fokus i sesionit është lufta kundër korrupsionit. .