“Në Kashmir rezultojnë të zhdukur 13 mijë të rinj”

Në një hulumtim që organizatat indiane të grave kanë zhvilluar në Xhamu Kashmirin nën kontrollin e Indisë, rezultojnë të zhdukur 13 mijë të rinj që nga heqja e statusit të veçantë të rajonit më 5 gusht e deri më sot.

Marketing

“Raporti për Gjetjen e të Vërtetës” i përgatitur si rezultat i hulumtimit në terren të bërë në Xhamu Kashmir më 17-21 shtator nga Forumi i Grave Muslimane në Indi (MWF), Federata Kombëtare e Grave Indiane (NFIW) dhe Organizata e Grave Progresive (PMS) u nda me publikun në një konferencë për media me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tre organizatave.

Kryetarja e NWF-së, Syeda Hameed e cila ka ndarë detajet lidhur me raportin tha se “Xhamu Kashmiri është një rajon ku kushtet e jetesës janë larg nga të qenit njerëzor në të gjitha fushat”.

Pasi tha se si pjesë e hulumtimit të tyre janë takuar me familjet që u janë zhdukur të afërmit, Hameed tha: “Në Kashmir që nga 5 gushti e deri më tani janë zhdukur 13 mijë të rinj. Njerëzit me të cilët kemi folur kanë thënë se ushtarët indianë kanë arrestuar të rinjtë dhe për lirimin e tyre kanë kërkuar nga familjet nga 20 mijë deri në 60 mijë rupi indianë (rreth 300 dollarë deri në 5.000 dollarë)”.

“Për shkak të urrjetjes së ushtarëve indianë ndaj të rinjve, kur dera troket fort, banorët e Kashmirit dërgojnë një të moshuar për të hapur derën. I moshuari i pret me shpresën se mund të shpëtojë të rinjtë, por të gjithë ato goditen nga shuplaka indiane”, tha Hameed duke vënë theksin se disa familje nuk i kanë parë më fëmijët e tyre.

Pas namazit të akshamit fiken të gjitha dritat dhe nëse me këtë ndalesë cenohet ndalesa e shtetrrethimit (daljes në rrugë) ushtarët indianë bastisin shtëpitë dhe arrestojnë të rinjtë, shpjegon Hameed.

Xhamu Kashmiri është bërë një vend ku njerëzit mbajnë qen për të kuptuar ardhjen e ushtarëve dhe në një vend ku ata jetojnë duke lëvizur në shtëpi me dritën e celularit, tha Hameed duke shtuar se “Ata që thonë se ka filluar të normalizohet jeta në Kashmir ose fshehin të vërtetën ose gënjejnë”.

– “Është ulur në 10-vjeç mosha e arrestimit”

Sekretarja e përgjithshme e NFIM, Annie Raja thotë se në kuadër të hulumtimit përveç popullatës së rajonit janë takuar edhe me punonjës të shëndetësisë dhe ato të sigurisë.

Përjetimet që nga 5 gushti e deri më tani në Kashmir, Raja i ka cilësuar si “gjenocid i kryer me dorën e Indisë”. “E vetmja fjalë që kanë thënë banorët e Xhamu Kashmirit pa dallim moshe, gjinie dhe besimi është se vendimi i marrë është pengesa e fundit e vendosur para popullit ndaj të cilit është premtuar që të përcaktojë vetë fatin e tij”, tha ajo.

“Mosha e arrestimit të meshkujve është ulur në 10 vjeç në Xhamu Kashmir. Me nënat që kemi biseduar kanë thënë se fëmijët e tyre arrestohen nga bastisjet e kryera natën. Poashtu nënat shpjegojnë se jetojnë me frikën se mund t’i shohin për herë të fundit fëmijët që dalin nga shtëpia për të luajtur”, tha Raja e cila shton se vajzat e reja janë përballur me përdhunime nga ushtarët indianë.

Ajo tha se nuk ka asnjë informacion lidhur me fatin e shumë fëmijëve të arrestuar. “Disa nga familjet kanë arritur të marrin informacione se fëmijët e tyre ndodhen në burgje jashtë Xhamu Kashmirit, por shumica e familjeve nuk dinë as se në cilin burg ndodhen fëmijët e tyre”, thekson Raja.

Raja tha se një tjetër tragjedi humanitare është përjetuar në fushën e shëndetësisë. “Për shkak të shtetrrethimit dhe ndalesës për transportin publik është e pamundur të bëhet ndërhyrja në kohë për shumë të sëmurë. Të sëmurët nuk mund të arrijnë në kohë në spital”, shtoi ajo.

Më tej duke vënë në dukje se ushtarët që ndodhen në rajon rrisin vështirësinë e jetesës, Raja tha se “Ushtria indiane me sulmet e natës dhe përdhunimet jo vetëm që po rrit mizorinë, por po terrorizon edhe popullatën. Kjo na bën të dyshojmë politikën e qeverisë për Kashmirin. Çfarë po përpiqet të bëjë vërtet qeveria indiane në Kashmir?”.

– Heqja e statusit të veçantë të Xhamu dhe Kashmirit

India më 5 gusht duke anuluar nenin 370 kushtetues që i njeh Kashmirit statusin e veçantë për më shumë se gjysmë shekulli, eliminoi strukturën me status të veçantë të rajonit dhe e ndau Xhamu dhe Kashmirin në territorin e dy njësive.

Pas vendimit forcat indiane të sigurisë në Xhamu dhe Kashmir intensifikuan operacionet e rendit dhe presionet mbi popullatën, ndërprenë linjat e komunikimit si dhe arrestuan drejtuesit dhe anëtarët e të gjitha partive lokale në rajon.

Që nga viti 1947, kur India fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe, Xhamu dhe Kashmiri ishte në një pozitë të privilegjuar të miratonte ligjet e veta. Ky status i veçantë përfshinte edhe ligjin e shtetësisë, i cili nuk lejonte që të huajt të vendoseshin dhe të përfitonin pronë në rajon./AA