Sot në Lucern të Zvicrës është nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, të përfaqësuar nga drejtori, dr. Skender Asani, Arkivit Shtetëror të Kantonit të Lucernit – të përfaqësuar nga drejtori, Dr. Jürg Schmutz, Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë – Shkup, të përfaqësuar nga drejtori, Arjan Asllanaj, dhe Institutit Shqiptar në St. Gallen në Zvicër – të përfaqësuar nga drejtori, Dr. Albert Ramaj.
Me këtë protokoll bashkëpunimi do të mundësohet që me mijëra dokumente, që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarinë e Nënës Terezë, të merren edhe nga Departamenti i Hulumtimit të
Trashëgimisë së Nënës Terezë, që sapo është themeluar nga ITSHKSH.
Po ashtu Arkivi i Lucernit – përmes këtij memorandumi – ia ka dhuruar Shtëpisë Përkujtimore të Nënës edhe disa dokumente origjinale, të shkruara nga dora e Nënës Terezë, që do të qëndrojnë si pronë e përhershme e shtëpisë muze në Shkup.
Po theksojmë se ky arkiv është ndër më të pasurit në Europë, ndërsa mund të jetë i vetmi që ka tubuar aq shumë fakte që kanë të bëjnë me Nënën Terezë. Andaj nënshkrimi i këtij
memorandumi hap një faqe të re në njohjen e saj dhe një mundësi të madhe që të njihen detaje që opinioni shkencor shqiptar do t’i lexojë për herë të parë.