Vazhdojnë protestat kundër qeverisë së Vuçiqit

Protestuesit anti-qeveritarë në Serbi dolën në rrugë për herë të 43-të me radhë të shtunën.

Marketing

Ata u mblodhën para Universitetit të Beogradit për shkak të dyshimeve se ministri i financave, Sinisa Mali, ka bërë plagjiaturë me rastin e mbrojtjes së doktoratës.

Studentët po kërkojnë qe 12 ditë që të bëhen publike gjetjet e një këshilli universitar në lidhje me rishikimin e doktoratës së ministrit.

Në maj të këtij viti, ky këshill kishte vendosur në mënyrë kundërthënëse se teksti i diplomës së ministrit nuk e arrin shkallën e plagjiaturës.

Dyshimet për këtë çështje kishin nisur para disa vjetësh, kur një grup ekspertësh kishte vlerësuar se ministri e ka kopjuar punën e të tjerëve, por brenda nivelit të lejuar.

Sidoqoftë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka ngacmuar protestuesit me fjalë, duke thënë se nuk do t’i plotësojë kërkesat e tyre as nëse në rrugë dalin pesë milionë njerëz.

Ai madje u tall me protestat edhe gjatë bisedës me gazetarë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke thënë “Rroftë rektorja”.

Protestat në Serbi filluan vitin e kaluar dhe ato po mbahen për çdo fundjavë. Protestuesit po kërkojnë shpërndarjen e kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, shkruan “Free Europe”