Vardari ka shënuar fitore minimale 1:0 ndaj Akademia Pandev, duke vazhduar të mbajë kryesimin në renditje, tashmë me plotë 4 pikë më shumë se kundërshtari i sotëm, që pësoi disfatën e parë këtë edicion, njofton “infOSport.mk”.
Golin e vetëm dhe të fitores për Vardarin e realizoi Daniel Avramovski në minutën e 39-të nga pika e bardhë.
Plotë 3 penalti u akorduan në ndeshjen në Tetovë midis Renovës dhe Borecit, ku në fund “gjipspunuesit” iu gëzuan fitores me rezultatin 2:1.
7 minutat e fundit të këtij takimi dolën të jenë shumë interesante, pasi fillimisht Boreci në minutën e 83-të me anë të Simeon Hristov barazoi rezultatin, duke zhvlerësuar golin e Remzifaik Selmanit gjatë pjesës së parë, që më pas të ndodh një gjë e pazakontë, Renova brenda dy minutave të përfitojë dy penalti. Fillimisht në minutën e 85-të Nenad Mishkovski nuk arriti që të mposhtë portierin Georgievski, ndërsa atë që nuk e bëri futbollisti mbrojtës, e bëri vetëm dy minuta më pas Argjent Gafuri, kur arriti që të shënojë golin e fitores për skuadrën nga Xhepçishti.
Pas 3 disfatave të njëpasnjëshme, Makedonija GJ.P është rikthyer te fitorja, duke mundur Struga Trim Lumin në transfertë me rezultatin 2:0, ndërkohë Sileksi falë golit të shënuar nga Zeravica në minutën e 26-të mundi minimalisht Rabotniçkin.
Rikujtojmë të shtunën FC Shkupi me rezultatin 2:0 mundi Shkëndijën.