Trazira në kampin grek të refugjatëve pas zjarrit që la dy të vdekur

Së paku dy persona kanë vdekur nga një zjarr që shpërtheu në një kamp refugjatësh në Greqi. Kjo ngjarje bëri që banorët e kampit të acarohen dhe të përleshen me policinë.

Marketing

Një grua dhe një fëmijë vdiqën nga flakët në kampin e mbingarkuar “Moria” në ishullin e Lesbosit. Lajmin e bëri të ditur agjencia e lajmeve në Athinë, duke i cituar burimet e policisë. Trupi i gruas u dërgua në spital, ndërsa trupi i fëmijës iu dorëzua autoriteteve nga imigrantët.

Megjithatë, numri i viktimave nuk është i qartë. Një dëshmitar tha se nga zjarri kanë vdekur tre njerëz. Sipas tij, zjarri ka qenë i përhapur në gjashtë apo shtatë vendstrehime. “I gjetëm dy fëmijë tërësisht të shkrumbuar dhe një grua të vdekur. Trupat e fëmijëve ia dorëzuam brigadës së zjarrfikësve”, tha një imigrant 15 vjeç nga Afganistani.
Zjarri në këtë kamp u shua përmes helikopterit, por imigrantët reaguan me zemërim kur autoritetet erdhën për ta hetuar incidentin. Policia hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë njerëzit e grumbulluar.

Në kampin “Moria” janë të strehuar rreth 13 mijë njerëz, ndonëse është i përshtatshëm për vetëm 3 mijë persona. Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara ka siguruar tenda për 8 mijë njerëz, ndërsa pjesa tjetër kanë ndërtuar strehimore të përkohshme nëpër fushat e ullirit.
Greqia i ka strehuar 70 mijë refugjatë, shumica sirianë, të cilët janë larguar nga vendet e tyre prej vitit 2015 për shkak të konflikteve, shkruan “The Guardian”.