Më shumë se gjysma e vdekjeve gjatë vitit të kaluar në Shqipëri kanë ardhur si rrjedhojë e problemeve me zemrën. Sipas INSTAT, në vitin 2018, vdekjet nga grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” arritën në 11,599, ose 53,2% e vdekjeve gjithsej.
Shkaktari kryesor i kësaj sëmundje, pohojnë ekspertët, është stili i jetesës dhe dieta ushqimore. Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 1250 persona për 1 milion banorë, ndërsa në vitin 2018 arrti në 4,040 për 1 milion banorë. Në krahasim me Europën, sipas të dhënave të tjera të Eurostat, Shqipëria renditet e dyta, pas Letonisë, që mban rekordin me mbi 5,000 vdekje nga goditjet në zemër, me të dhënat që i referohen vitit 2016, të publikuara në Ditën Botërore të Zemrës, që ishte në 29 Shtator.
Ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është shumë më e ulët, në 1190 vdekje për 1 milion banorë, ose gati 4 herë më e ulët se në Shqipëri. Shtetet, ku ka më pak vdekje nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë Franca (470 për milionë banorë), Holanda (580) dhe Spanja (640).
Në çdo shtet të BE-së, norma e standardizuar e meshkujve që vdesin nga sëmundjet koronare është më e lartë te burrat se te gratë. Midis shteteve të BE-së, Lituania shënoi diferencën më të lartë gjinore, me 2 950 më shumë vdekje te meshkujt për 1 milion banorë nga goditjet në zemër. Lituania ndiqet nga Letonia (diferencë prej 2 650 vdekje për 1 milion banorë) dhe Estonia (1 740). Në Shqipëri, prevalenca si te femrat ashtu dhe te meshkujt është e barabartë, me 50.2% të rasteve që ishin meshkuj, sipas INSTAT.
Ekspertët rendisin disa arsye për rritjen e vdekshmërisë nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut në vend, të cilat lidhen me stilin e jetesës që kanë krijuar shqiptarët vitet e fundit. Shtimi i produkteve të mishit pas viteve 1990 dhe i sasisë së yndyrave, shmangia nga dieta mesdhetare me fruta dhe perime të freskëta dhe konsumi i vakteve me ushqime të gatshme janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.
Mjekët pohojnë se jeta sedentare pa aktivitet fizik është po aq shkaktare sa dieta ushqimore. Në përgjithësi, mentaliteti i të ushqyerit mirë në Shqipëri lidhet me konsumin e bollshëm të mishit dhe yndyrave, ndërkohë që në vendet e zhvilluara vlerësohet ushqim i mirë, konsumi i frutave dhe perimeve bio.
Qytetet me zemër më të dobët
Sipas të dhënave të INSTAT për vdekjet nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të përpunuara nga ‘Monitor’ në raport me popullsinë, në vitin 2018, Korça, Berati, Gjirokastra, Shkodra dhe Vlora ishin qytetet me numrin më të lartë të jetëve të humbura (për 100 mijë banorë).
Në qytetin e Korçës, numri i të vdekurve nga zemra për 100 mijë banorë ishte 510 persona, më i larti në vend, i ndjekur ngushtë nga Berati, me 508 jetë të humbura për 100 banorë. Siç duket Korça dhe Berati janë qarqet që vuajnë më së shumti sëmundjet që vijnë nga zemra e dobët.
Në krahun tjetër, qytetet që janë më pak të prekura sëmundja në fjalë janë Elbasani, Tirana, Lezha, Durrësi. Në vitin 2018, në Elbasan vdiqën nga infarkti dhe sëmundje të tjera të qarkullimit të gjakut 337 persona për 100 mijë banorë, më pas vjen Tirana me 347 jetë të humbura për 100 mijë banorë dhe Lezha (361), Durrësi (371).
“Zemra” po vret me shumë moshat e reja
Në 2018-n u konstatua një rritje e ndjeshme e jetëve të humbura në moshat e reja, sidomos ato foshnjore (nën 1 vjeç). Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se sëmundja vrau 20% persona më shumë në moshën 0-34 vjeç, në raport me një vit më parë. Sëmundjet e qarkullimit të gjakut vranë vitin e kaluar 139 persona në moshë të re (0-34 vjeç) nga 115 gjatë vitit 2017.
Në 2018-n u shënuan 33 vdekje nga sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut te fëmijët nën 1 vjeç, ose 32% më shumë se një vit më parë. Për grupmoshat 30-34 vjeç, rasti i fataliteteve ishte 30, në dyfishim në raport me 2017-n. Ndërsa të moshuarit duket se po i mbajnë më nën kontroll sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, me vdekjet mbi moshën 65 vjeç, që u reduktuan me 3% në 2018-n. /Monitor/