Shoqata e gazetarëve sot promovoi doracakun për siguri, etikë të punës së kameramanëve në mediume. Doracaku në fjalë përmban udhëzime dhe rekomandime profesionale për punën e kameramanëve dhe informata për publikun rreth rolit dhe përgjegjësisë së këtij profesioni.
Marina Tuneva nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) me këtë rast tha se profesioni i kameramanëve është shumë më tepër sesa vendosja e kamerës dhe regjistrimi. Sipas saj ky doracak do të sqarojë standardet ekzistuese ligjore dhe etike për punën e kameramanëve.
“Sfida profesionale e kameramanëve nuk ka të bëjë me atë që të vlerësojnë se ku fillon dhe ku mbaron incizimi. Ata janë përgjegjës për atë se çfarë ndodh ndërmjet kuadrit të parë dhe të fundit, dhe nga ata pritet që ata të jenë të vetëdijshëm për natyrën e ngjarjes, ngjarjet dhe objektet, si dhe audiencën për të cilën synohet rezultati i punës së tyre”, deklaroi Marina Tuneva.
Ndërsa Marijana Marusiç-Kos, bashkë-autore e doracakut, theksoi se në këtë doracak është bërë një përmbledhje e kornizës ligjore kombëtare dhe dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë profesion. Doracaku është përgatitur në kuadër të projektit “Gazetarë të sigurt për informacion të besueshëm në Maqedoni” i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Hollandës në Shkup.