Propozim-ligji për informata të klasifikuara në lexim të parë sot duhet të shqyrtohet në Komisionin kuvendor për çështje evropiane dhe në Komisionin ligjdhënës-juridik.
Propozim-ligji pardje u pranua në Komisionin amë për mbrojtje dhe siguri, ndërsa ministrja Radmilla Shekerinska, në arsyetimin theksoi se ligji do t’u referohet dokumenteve të klasifikuara nacionale, por edhe informatave të klasifikuara të cilat merren nga ana e organizatave ndërkombëtare apo krijim të bashkëpunimit të ndërsjelltë, me theks të veçantë në komunikimin me dokumente të NATO-s, që edhe janë të klasifikuara.
“Klasifikimi nuk guxon të jetë bazë për mbulim. Përkundrazi, u jepet siguri dhe mbrojtje të gjithë personave të cilët konsiderojnë apo mund të konstatojnë se klasifikimi është keqpërdorur për t’u mbuluar ndonjë vepër penale, punë e paligjshme apo keqpërdorim. Kjo këtu është saktësuar qartë”, tha Shekerinska.
Ajo shtoi se janë nga fundi të gjitha përgatitjet për t’u siguruar edhe siguri fizike edhe procedurale e informatave të klasifikuara, ndërsa kjo do të thotë se pikat e kapshme drejt të cilave do të arrijnë dokumentet dhe informatat e NATO-s, tërësisht u adaptohen standardeve të Aleancës. Në të gjitha institucionet kyçe, potencoi Shekerinska, janë nga fundi masat e plota të stabilitetit fizik, mbyllja e dritareve, mbrojtja nga rrezatimi elektromagnetik dhe video mbikëqyrja e plotë.
Në mbledhjen e Komisionit ligjdhënës-juridik janë edhe Propozim-vendimi për dërgimin e pjesëtarit të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacionin paqësor të BE-së “ALTEA” në BeH dhe Propozim-vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacionin paqësor “Mbështetja vendimtare” në Republikën islamike të Afganistanit.
Në mbledhje të posaçme, Komisioni ligjdhënës-juridik do ta shqyrtojë Propozimin për ndryshim dhe plotësim të Buxhetit të RMV-së për vitin 2019 në lexim të dytë.
Në Kuvend sot do të mbahet edhe debat publik me temë: Roli i grave në mjediset rurale dhe sfidat e tyre në Komisionin për mundësi të barabarta të burrave dhe grave