Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ka prezantuar hapësirat e reja për punë të shërbimit konsullor pranë kësaj ambasade. Sipas Dedaj, ambientet e reja do të ju mundësojnë punë më efikase me palët dhe të njëjtat do të jenë të hapura çdo ditë punë nga ora 9 deri në orën 17. Shërbimi konsullor i ofron ndihmë shtetasve të Kosovës për zgjidhjen e problemeve të natyrës konsullore. Gjithashtu, ky shërbim ofron edhe viza për shtetas të vendeve të ndryshme të botës, të cilëve u nevojitet pajisja me vizë hyrëse në Kosovë.
Ne jemi po ashtu pranë qytetarëve të cilët kërkojnë mbështetjen tonë sepse këtu përveç pajisjes me viza të cilat kanë nevojë dhe ju duhet viza për të hyrë në Kosovë, për vendet e rajonit siç është Bosnja por edhe vendet tjera të cilat ende nuk e kanë njohu pavarësinë e Kosovës, ata detyrimisht duhet të pajisen me viza dhe shërbimi konsullor I Kosovës, pranë ambasadës këtu në Shkup, i pajis me viza pastaj me leje udhëtimi. I pajisim me dokumente kur kemi martesa nga Kosova në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, në raste të lindjeve të foshnjave pranë spitaleve dhe klinikave në Shkup, edhe rastet e vdekjes e kështu me radhë. Ne së shpejti, kemi marr vendim dhe Qeveria e Kosovës ka njoftuar Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut që së shpejti do ta hapim edhe konsullatën e përgjithshme të Kosovës në njërin nga qytetet e Maqedonisë veriperëndimore, kështu që të jemi sa më afër qytetarëve dhe nevojave të tyre dhe të jemi sa më afër edhe shtetit të Maqedonisë së veriut me të cilin kemi raporte të shkëlqyeshme – tha Gjergj Dedaj, ambasador i Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.