Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) e përshëndeti progresin e arritur nga viti 2013 nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë pesë sfera që do të vazhdojë t’i vlerësojë në raportin e radhës.
Në rezolutën e miratuar mbrëmë vonë në bazë të raportit të Liz Kristofersen dhe Aleksandar Pocije, APKE i përshëndeti hapat e ndërmarrë, pas periudhës dyvjeçare në tranzicion, për ta “normalizuar” situatën në vend dhe për t’i respektuar standardet e Këshillit të Evropës. Parlamentarët e 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës gjithashtu, e përshëndetën, siç thanë, përmirësimin e “jashtëzakonshëm” në marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me fqinjët.
Megjithatë, ata theksuan se ligjet e sjella para ca kohësh duhet të zbatohen në tërësi me qëllim që institucionet shtetërore të jenë më të qëndrueshme, që të përforcohet pavarësia e gjykatave dhe të konsolidohet qeverisja e së drejtës.
Kuvendi vendosi ta vazhdojë dialogun postmonitorues dhe theksoi se raporti i tij i radhës do ta vlerësojë progresin e arritur në konsolidimin e funksionimit të institucioneve demokratike, përforcimin e pavarësisë në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit, përforcimin e kornizave zgjedhore dhe zbatimin e politikave inkluzive për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.