Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar rezolutën 23-04 për RMV-në, në të cilët përshëndetet progresin që ka shënuar vendi nga viti 2013 deri më tani.
Megjithatë, 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës kanë theksuar nevojën e implementimit të ligjeve që janë miratuar më herët.
APKE vendosi t’ia vazhdojë dialogun postmonitorues Maqedonisë së Veriut, ndërkaq raporti i radhës do të përfshijë progresin e arritur në konsolidimin e funksionimit të institucioneve demokratike, përforcimin e pavarësisë në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e kornizave ligjore për të drejtat e pakicave. Anëtarët e delegacionit kuvendor ne Asamblenë Parlamentare presin që vlerësimet e KE-së të ndikojnë edhe në vendimmarrjen e Brukselit për vendin tonë.
“Jam i sigurt dhe shpresoj se kjo që ndodhi në Strasburg do të jetë indikacion i pastër, për atë çka duhet të ndodh në Bruksel në periudhën e ardhshme”,- tha anëtari i delegacionit kuvendor në APKE, Betian Kitev.
Vendimi i Holandës për negociatat, Rute: RMV ka përparim, shqetësim për Shqipërinë
Ndërkohë, vetëm pak ditë para se Holanda të dalë me qëndrim final për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për fillimin e negociatave, vijnë sinjalet e para për dy vendet ballkanike.
Kryeministri holandez, Mark Rute, në konferencën e përbashkët me kancelaren Merkel, tha se më shumë ka shqetësime për Shqipërinë sesa për Maqedoninë e Veriut.
“Ne jemi po aq të shqetësuar sa edhe vendet e tjera. Për Maqedoninë e Veriut pak më pak, e për Shqipërinë pak më shumë. Pyesim veten se sa progres është arritur në Shqipëri dhe në këtë aspekt jemi shumë të shqetësuar. Prandaj do ta diskutojmë këtë çështje me partnerët tanë evropianë në javët e ardhshme. Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë se sa Shqipëria dhe kjo do të jetë në fokus të bisedimeve”,- tha kryeministri i Holandës, Mark Rute.
Vendimi final në Holandë merret më 8 tetor, por tashmë nga më shumë politikanë holandezë është kërkuar që rasti i Shqipërisë të trajtohet më vete nga ai i Maqedonisë së Veriut.