Hong Kongu i ndalon maskat në protesta

Autoritetet në Hong Kong miratuan me urgjencë një ligj, i cili i ndalon protestiesit të veshin maska.

Marketing

Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se kjo masë synon “të kthejë paqen” në kohën kur rendi publik “është në rrezik”.

Protestat në Hong Kong kanë nisur tash e sa muaj, fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, e cili më pas është tërhequr.

Protestat më pas janë zgjeruar në fushatë kundër Kinës, pasi, sipas protestuesve, Pekini po e rrit gjithnjë e më shumë ndërhyrjen në autonominë e Hong Kongut.

Ligji i ri, edhe pse nuk pritet të miratohet zyrtarisht nga legjislatura e Hong Kongut deri në mes të tetorit, do të hyjë në fuqi mesnatën e sotme.

Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist; në Hong Kong dhunë
Shumë protestues kanë dalë në rrugë duke veshur maska për të fshehur identitetin nga punëdhënësit, nga frika se autoritetet mund t’iu bëjnë presion bizneseve për t’i ndëshkuar ata.

Shkelësit e ligjit të ri do të përballen me dënim deri në një vit burgim dhe me gjobë deri në 3,200 dollarë.

Mbi 1,750 njerëz janë ndaluar deri më tani si rezultat i protestave.

Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.