Qeveria përshëndet kërkesën e krerëve të BE-së për fillimin e negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriore sot e përshëndeti letrën që kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, trashëgimtarja e tij Ursula fon der Lejen dhe kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli ua dërguan vendeve anëtare të BE-së, me të cilën kërkojnë fillimin e negociatave inkuadruese për anëtarësim në Unionin me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

Marketing

“Letra paraqet afirmim për politikat reformuese të cilat kjo Qeveri i zbaton dhe është stimulim edhe më i madh në punën tonë për sigurimin e ardhmërisë të sigurt evropiane për qytetarët e Republikës së Maqedonisë Veriore”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Në letër krerët e BE-së përkujtojnë se vendet anëtare u zotuan që në qershor t’i rikthehen çështjes dhe të sjellin vendim thelbësor për këtë çështje në tetor.

“Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhje strategjike. Vendimi për fillimin e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë është test për aftësinë e Unionit t’i përmbush premtimet e saj dhe të shikojë kah ardhmëria”, kanë shkruar krerët evropian.

Letra deri te vendet anëtare fokusohet në rolin që BE-ja duhet ta luajë në skenën globale dhe në mbrojtjen e interesave të saj personale. Në këtë kontekst, shkruajnë ata, duhet që BE-ja të ndërmarrë hapa drejtë këtyre vendeve të cilat janë të interesuara për anëtarësimin në BE dhe të cilët i kanë përmbushur kriteret për fillimin e procesit negociues.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë bërë atë që e kërkuam prej tyre. Përmbushja kërkoi përpjekje të mëdha nga qytetarët e saj për të cilët perspektiva evropiane është burim i madh i motivimit dhe vendimmarrjes”, kanë shkruar liderët e BE-së në letër.

Ata pranojnë se nuk ka garanci për sukses në procesin negociues dhe se do të duhen përpjekje të mëdha reformuese që këto vende të bëhen anëtare të plotfuqishme. Paralelisht, thuhet në letër, reforma e brendshme të BE-së do të duhet të thellohen.

“Besojmë se tani është koha të hapen negociatat inkuadruese me të dy vendet”, qëndron në letër.

Vendimin për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut , BE-ja duhet ta sjellë më 15 tetor.