Nënë e bijë janë mbytur në rezervuarin e fshatit Alarup në Pogradec. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të diele.
Mësohet se fillimisht ka qenë vajza e moshës 10 vjeçe që ka rënë aksidentalisht në rezervuar. Pas saj është futur e ëma Liri Mazelli, 35 vjeçe, për ta shpëtuar, por fatkeqësisht janë mbytur të dyja.
Trupat e dy të mbyturave janë nxjerrë nga rezervuari nga banorë të zonës.
“Më datë 06.10.2019, rreth orës 17.00, në një rezervuar, në fshatin Alarup, aksidentalisht dyshohet se ka rreshkitur dhe është mbytur shtetasja E.M, rreth 10 vjeçe. Në afërsi të vendngjarjes, ndodhej duke punuar nëna e saj, shtetasja L.M, 35 vjeçe, e cila ka ndërhyrë për të shpëtuar vajzën, por ka gjetur vdekjen edhe ajo, si pasojë e mbytjes në ujë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor po kryen veprimet proceduriale dhe po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.