Pavarësisht se konkursi i fundit për punësime në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve ishte hapur për trembëdhjetë persona dhe numri i aplikuesve ishte i lartë, filtrat për vendin e punës i kanë kaluar vetëm shtatë kandidatë, pesë prej të cilëve shqiptarë dhe dy të nacionalitetit maqedonas. Nga Agjencia për Administratë, Institucion i cili ka shpallur konkursin, thonë se për të plotësuar vendet vakante, së shpejti do të hapet edhe një tjetër konkurs.
Megjithatë epilogu i këtij konkursi ngjallë edhe njëherë dilemën nëse në Maqedoni ka kuadër të përgatitur mjaftueshëm për plotësimin e vendeve në institucionet si Agjencia e Gjuhëve, apo Inspektorati. Albanologia Ajten Qamili, thotë se numri i diplomave është i lartë, por cilësia dhe guximi janë të ulëta.
Disa edhe prej këtyre që marrin diplomë, praktikën nuk e kryejnë fare, por marrin nëpër institucione vetëm një vërtetim sa për të kaluar rendin. Këtu është mangësia dhe pastaj nuk kanë guxim që të sporvojnë vetën.Në anën tjetër kemi edhe një dukuri të largimit të trurit nga Maqedonia. Studentë të dalluar, largohen nga vendi.Një numër i kuadrit të cilët vërtet janë cilësorë tashmë janë të sistemuar nëpër vende punë nëpër organizata të huaja apo nëpër ambasada, kur marrin të ardhura shumë më të majme nga këtu që mund të marrin dhe njerëz të atillë nuk vijnë në Agjenci- deklaroi Ajten Qamili- Albanologe.
Pas shpalljes së konkursit të parë Alsat reagoi për njërën nga pikat që duhet të plotësonin kandidatët, ku thuhej se të gjithë aplikuesit duhet të ishin njohës të mirë të gjuhës maqedonase. Gjuha shqipe nuk përmendej askund edhe pse kërkesa për punësim bëhej pikërisht nga Institucioni që duhet të sigurohet për zbatimin e drejtë të gjuhës shqipe. Nga Agjencia për Administratë nuk thanë konkretisht nëse në konkursin e radhës do të figurojë edhe gjuha shqipe tek kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët.
“Në bazë të nenit 31 të Ligjit për Nëpunës Administrativ një nga kushtet që duhet të plotësojë kandidati për vendin e punës është edhe njohja e mirë e gjuhës maqedonase. Nëse institucionet kanë nevojë për nëpunës administrativë të cilët duhet të njohin edhe gjuhë tjetër, një kush i tillë përcaktohet Rregulloren për Sistematizim të vendeve të punës në institucion, në pjesën “Kushte të tjera të posaçme”, veçmas për çdo vend pune”, thonë nga Agjencia për Administratë.
Punën që duhet ta bënte një ekip prej 74 të punësuarish të rregullt, aq sa parashihet me ligj për këtë agjencie realizon një ekip shumë herë më i vogël, i cili përbëhet nga 8 të punësuar me kontratë në vepër dhe nga 7 të punësuar të rregullt. Ekspertët kanë apeluar vazhdimisht që në Agjenci të punësohen njohësit më të mirë të Gjuhës Shqipe, në mënyrë që efikasiteti dhe profesionalizmi i këtij institucioni të jetë në nivel sa më të lartë.