Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka komentuar konkluzionet e liferuara jozyrtare të Komisionit të Venecias në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij, versionet të cilat kanë dalë në opinion janë versione pune si përshtypje e tyre. Në atë version pune, sipas Osmanit, janë parë variante të ndryshme që nga përshtypja e tyre për gjyqësorin, ashtu edhe për mendimin e tyre pozitiv të dygjuhësisë në bankënotat, por të gjitha këto, sipas Osmanit, janë jozyrtare, deri në publikimin e raportit final.
“Nuk ka një raport të Komisionit të Venecias dhe ajo që ka dalë në opinion janë versione pune. Prandaj çdo komentim i versioneve të punës është i panevojshëm, sepse këto nuk janë qëndrime finale të Komisionit të Venedikut. Ligji i gjuhës është shtylla e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa Marrëveshja e Ohrit është shtylla e stabilitetit dhe prosperitetit të këtij vendi. Ne jemi bashkëpunues me Komisionin e Venecias dhe na ka ndihmuar shumë në strategjinë e gjyqësorit dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me këtë komision edhe më tutje si trup këshilldhënës, mirëpo vendimet për të ardhmen e këtij vendi dhe raporteve ndëretnike i miraton vendi”,- deklaroi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Zaev: Do të respektojmë versionin final
Ndërsa kryeministri i vendit, Zoran Zaev, ka pohuar se të gjithë atë të cilën e propozojnë është në nivel të praktikave europiane, por ne jemi të gatshëm që si institucione ta implementojmë mendimin e Komisionit të Venecias.
“Ne e kemi thënë se do ta respektojmë Komisionin e Venecias kur do ta japë versionin e tij final, por sido që të jetë, ne si institucione jemi të gatshëm ta implementojmë mendimin e Komisionit të Venecias. Por, unë ligjin e shoh si ligj i cili është dhe sillet për të mirën e qytetarëve, që të kenë të drejtë të komunikojnë dhe të veprojnë në gjuhën e tyre, me qëllim që ta kenë më të lehtë. Duhet të jemi demokratë, ne duhet t’i sjellim ligjet, ndërsa Komisioni i Venecias do t’i japë sqarimet e tij, të cilat ne duhet t’i respektojmë, sepse nëse dëshirojmë të jemi europianë, ne duhet t’i marrim parasysh sugjerimet të cilat i japin institucionet europiane”,- u shpreh kryeministri i vendit, Zoran Zaev.
Pendarovski: Duhet kujdes, është çështje e veçantë
Ndërsa nga ana tjetër, kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, deklaroi se që në fushatën zgjedhore për president ai theksoi nevojën për të ngritur nivelin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend.
“Nuk është sekret, e kam thënë shumë herë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në lidhje me këtë çështje të veçantë. Pra, është një draft, një dokument i pakompletuar. Le të presim që ajo të publikohet zyrtarisht dhe unë do të doja të shoh nëse ajo që është botuar një ose dy faqe, dhe dokumenti ka shumë faqe, nëse do të qëndrojë me të njëjtat formulime deri në fund”,- theksoi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Versioni final i Komisionit të Venecias do të duhet të publikohet deri në fund të vitit, ku institucionet e vendit dhe deputetët e caktuar kanë kërkuar mendim zyrtar nga ky Komision rreth sjelljes dhe implementimit të disa ligjeve.