ShBA-të dëshirojnë që Greqia të udhëheqë Ballkanin. Kjo ka qenë deklarata e Sekretarit të Shtetit amerikan, Mike Pompeo, për televizionin grek “Sky”. Sipas tij, në një kontekst më të gjerë, ShBA kujdeset që Ballkani të stabilizohet, pasi ky është një rajon me “plot sfida” dhe Amerika do ta shohë Greqinë duke e udhëhequr atë.
“Ne duam një fillim të ri me kryeministrin e ri, Kirijakos Micotakis, dhe ekipin e tij që të udhëheqë rajonin përpara dhe krijimin e stabilitetit në të gjithë rajonin”,- deklaroi sekretari i shtetit amerikan, Mike Pompeo.
Greqi-SHBA: Implementim konzistent i Marrëveshjes së Prespës
Siç transmeton korrespondentja e MIA-s nga Athina, Marrëveshja e Prespës dhe rëndësia e implementimit konzistent të saj si dhe integrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në institucionet europiane dhe transatlantike, janë thelbi i kumtesës së përbashkët të dalë nga rrethi i dytë i dialogut strategjik mes ShBA-ve dhe Greqisë.
“Të dy vendet konfirmuan mbështetjen e tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet europiane dhe transatlantike, në pajtim me zgjedhjen e popujve të tyre. Pajtohen se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe zgjidhja paqësore e konflikteve, është thelbësore për arritjen e këtij qëllimi. Të dy qeveritë vërtetojnë qëllimin e tyre për të mbështetur sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike në rajon. Ata gjithashtu zotohen të promovojnë një kulturë kompromisi dhe pajtimi”,- thuhet në një deklaratë të përbashkët në fushën e bashkëpunimit rajonal.
Raundi i dytë i dialogut strategjik midis Greqisë dhe Shteteve të Bashkuara u mbajt në Athinë, në prani të zyrtarëve të lartë nga të dy vendet.