Indeksi global i konkurrencës, RMV e 82-ta në botë, e parafundit në Europë

RMV është e ranguar në vendin e 82 nga 140 shtete të botës, sipas raportit më të ri të Indeksit Global të Konkurrueshmërisë së Forumit Ekonomik Botëror. Në bazë të të dhënave, vendi ynë radhitet diku në mes radhitjen së përgjithshme, por ndër shtetet europiane është e parafundit.

Marketing

“Në aspekt të radhitjes, Maqedonia e Veriut ka përmirësim për dy vende, nga vendi 84 vitin e kaluar, këtë vit është në vendin e 82. Mirëpo në aspekt të grumbullimit të pikëve të përgjithshme nuk kemi ndonjë lëvizje të dukshme”,- tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Sipas Isenit, vendi mbetet i dobët në parametrat për institucionet, gjë që tregon se biznesi has në vështirësi institucionale në funksionimin e tij. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për ekonomitë është edhe arsimimi që nuk përshtatet me kërkesat e tregut të punës.

“Në pjesën e institucioneve, vendi nuk shënon ndonjë lëvizje, veçanërisht në pjesën e shërbimeve të administratës, pavarësisë së gjyqësorit, po ashtu kemi ngecje edhe në pjesën e fuqisë së kualifikuar punëtore”,- theksoi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Për sa i përket parametrave të stabilitetit makroekonomik, këtë vit vendi shënon kthim mbrapa sa i përket dinamikës së huamarrjes, është pozicionuar mirë për inflacionin dhe ndan vendin e parë me 88 vende të tjera. Në fushën e financimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme vendi është ranguan në vendin e 115, ndërsa në sektorin bankar dhe në shpenzimet për kohën për fillimin e një biznesi, ka një rënie në krahasim me vitin e kaluar.