Delegacioni i Kuvendit në Sesionin Vjetor të AP-së së NATO-s në Londër

Në kuadër të mbledhjeve të rregullta të AP-së së NATO-s, Sesioni Vjetor që do të mbahet nga 11 deri më 14 tetor 2019 në Londër, Mbretëria e Bashkuar, do të marrë pjesë Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të udhëhequr nga deputeti Ilija Dimovski, shef i Delegacionit dhe zëvendësanëtari i Delegacionit, Afrim Gashi.
Mbledhje do të mbajnë pesë komisione të përhershme të AP-së së NATO-s, të cilat do t’i shqyrtojnë propozimet e raporteve dhe propozim-rezolutat për këto çështje: riafirmimi i vlerave të NATO-s në dritën e ekzistimit 70-vjeçar të Aleancës; Ukrainë: 5 vjet pas revolucionit dinjitoz; bashkëpunimi kufitar; epoka e re bërthamore: modernizimi, kontrolli i armëve dhe forcat e përbashkëta bërthamore; ushtrimet e NATO-s – evolucioni dhe mësimet e nxëna; zhvillimi i sigurisë në Atlantikun e Veriut; sanksionet ekonomike si mjet i politikës së jashtme; qasjet e Amerikës së Veriut dhe të Evropës ndaj tregjeve digjitale dhe sajber-sigurisë; marrëdhëniet Rusi-NATO; inteligjenca artificiale dhe implikimet në forcat ushtarake të NATO-s, si dhe çështje të tjera që lidhen me ndryshimet e Rregullores së AP-së së NATO-s. Në kuadër të Komisionit për Ekonomi dhe Siguri, do të shqyrtohet Propozim-raporti i reviduar për “Republikën e Maqedonisë së Veriut – ndryshimet politike, aderimi në NATO dhe tranzicioni ekonomik”, pas së cilës Sesioni Plenar pritet ta miratojë Propozim-rezolutën.
Me Sesionin Vjetor do të kryesojë Medlin Mun, kryetar i AP-së së NATO-s, ndërsa në Sesionin Plenar parashihen fjalimet e: Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s; Ben Valas, Sekretar i Shtetit i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe dr. Alia Buran, kryetare e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut.
AP-ja e NATO-s është asamble parlamentare multilaterale e themeluar në vitin 1955 si asamble konsultative e NATO-s dhe i bashkon 266 parlamentarë nga 29 vendet anëtare të NATO-s, 53 parlamentarë nga delegacionet asociative, 12 nga partnerët rajonalë dhe mesdhetarë, 20 parlamentarë nga delegacionet me status të mbikëqyrësit (në mesin e të cilëve AP-ja e OSBE-së dhe AP-ja e KE-së), si dhe delegacioni 10-anëtarësh i Parlamentit Evropian.

Marketing