Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ai do të emërojë nënsekretarin amerikan të Shtetit, John Sullivan, për të qenë ambasadori i SHBA-së në Rusi.
Nëse konfirmohet nga Senati, Sullivan do të vepronte si diplomat i lartë amerikan në Rusi, në një kohë veçanërisht sfiduese për presidencën e Trumpit, i cili po përballet me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve, pasi dyshohet se i bëri presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, për të hetuar një nga rivalët e tij të brendshëm politikë, ish nënpresidentin Joe Biden.
Marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë në një cikël tensionesh që kanë nisur më 2014, kur Moska ka aneksuar Krimenë nga Ukraina. Përveç kësaj, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë vërtetuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.