Mos-sistematizimi i administratorëve, ulë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat

Nëse administratorët shqiptarë që rrinë në shtëpi do të sistemoheshin në institucionet shtetërore dhe publike, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i tyre në këto institucione do të ishte më i lartë. Kështu vlerëson profesori universitar Izet Zeqiri, duke komentuar raportin e Avokatit të Popullit, në të cilin thuhet se përfaqësimi i shqiptarëve në vitet e fundit ka shënuar rënie. Profesori Zeqiri shton se qëndrimi në shtëpi i administratorëve shqiptar, ka kosto të lartë për buxhetin e shtetit nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër i pengon ata për zhvillim në karrierë.

Marketing

Është një kosto diku 780 mijë euro që marrin paga diku afër 1688 administrator prej të cilëve kishte një plan aksionar për 950 prej tyre të sistemohen, por edhe kjo është në pikëpyetje pasi shumë institucione i kanë mbyllur dyert për administratorët. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në vetë administratorët të cilët janë të deprimuar të cilët e humbin interesin, të cilët faktikisht ekziston mundësia ta humbin edhe vendin e punës sepse ata e kanë humbur garën për zhvillim të karrierës në krahasim me të rinjtë tjerë të cilët kanë shkuar në punë dhe kanë zhvilluar aftësitë e tyre në marrëdhëniet e punës – deklaroi Izet Zeqiri, profesor universitar.

Pas publikimit të raportit të avokatit të popullit, reaguan nga Qeveria. Zëdhënësi Muhamet Hoxha thotë se sipas të dhënave të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, përfaqësimi i shqiptarëve është rritur.

Nga ajo e cila është dorëzuar me përfundim të vitit 2018, që është dorëzuar nga Ministria e shoqërisë Informatike, përfaqësimi i shqiptarëve tek të gjitha institucionet është 19.67%, kjo pra është për vitin 2018, ndërsa për vitin 2017 përfaqësimi ka qenë 19.31%, pra kemi pak rritje sa përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por nuk është në nivelin e duhur që do të thotë se të gjitha institucionet dhe Qeveria e RM në vazhdimësi punon në zbatimin e këtij obligimi që do ta përsëris buron nga MO – u shpreh Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Megjithatë Avokati i Popullit Ixhet Memeti konsideron se të dhënat e ombudsmanit janë shumë më të sakta.

Vlerësojmë se kemi të bëjmë me një raport i cili ka të dhëna mjaftë reale dhe nëse e krahasojmë me raportin të cilin e jep ministra e shoqërisë informatike ne vlerësojmë se ky është raport më preciz dhe më i saktë – tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Sipas raportit të Avokatit të popullit, në vitin 2016 përfaqësimi i shqiptarëve ka qenë 19.2 %, në vitin 2017 ka rënë në 19.1% dhe në vitin 2018 në 19%.