Në mëngjesin e sotëm një i burgosur nga burgu i Idrizovës është arratisur gjatë kthimit nga Spitali Klinik në Shkup. Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me policinë e burgut janë në kërkim të tij i cili është arratisur në drejtim të panjohur.
I burgosuri me iniciale F.A ka arritur që të i’u ikë rojeve gjatë rrugës për në burg, pas një kontrolle mjekësore në qendrën klinike. Nga burgu i Idrizovës thuhet qe arratisja e tij është bërë gjatë një ndalese nga rojtarët e burgut për të blerë ushqim.
I burgosuri ka qenë i akuzuar për disa vepra penale dhe i dënuar për vjedhje dhe kontrabandim migrantësh. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite e 7 muaj burg. Ndërkaq deri tani ka vuajtur dënimin për 1 vit e gjashtë muaj.
Pas arratisjes është njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme kurse rojet menjëherë janë pezulluar nga detyra- thuhet nga drejtoria e burgut. Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me policinë e burgut të Idrizovës janë ende në kërkim të të arratisurit