Me ndeshjen e organizuar të futbollit mes të rinjve të Akademisë së K.F. Shkupi dhe K.F. Vëllazërimi nga Sllatina e Tetovës në palestrën sportive “Enver Idrizi” në Çair filloi realizimi i projektit edukativ “SPORT PO, DROGË JO”. Me këtë Komuna e Çairit dhe Ministria për Punë të Brendshme hapën një kapitull të ri të bashkëpunimit ndërinstitucional për përforcimin e mekanizmave edukative në mbrojtje të personalitetit të të rinjve tanë nga fenomenet devijuese.
Me rastin e kësaj ngjarjeje, Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu theksoi: “Bashkë me Zëvendës Ministrin për Punë të Brendshme Agim Nuhiu, shërbimet e Stacionit Policor të Bit Pazarit dhe Sektorit për Punët të Brendshme – Shkup dërgojmë porosi të qartë kundër fenomenit helmues të drogës përmes promovimit të sportit si vlerë unike e vitalitetit tonë shëndetësor. Bashkëpunimin tonë produktiv me Ministrinë e Punëve të Brendshme do ta vazhdojmë përmes leksioneve teorike dhe praktike që të orientojmë hapërimin e të rinjve në binarët e duhura të ardhmërisë së shëndoshë.”