Në hapsirat e teatrit të Komedisë Shkup u mbajt konferenca e shtypit nga Festivali Ndërkombëtar Teatror Skupifestival Shkup, me rastin e hapjes së edicionit të 13 të këtij festivali, i cili do të fillojë nga e hëna, pra nga data 21 tetor dhe do të mbaroj më datë 27 tetor ( e dilell) nën moton Log in Theater. Ky edicion do të mbahet në skenën e tetarit të Komedisë Shkup. Konferencën për shtyp e hapi drejtori i FNT Skupifestivalit Muzbajdin Qamili, i cili foli për programin dhe mënyrën e organizimit, për përzgjedhjen e shfaqjeve që do defilojnë për këtë vit në Skupifestival, duke bërë edhe thirrje artdashësve dhe në veçanti publikut teatrorë për t’ a përcjellur programin e këtij edicioni. Në vijim drejtori artistik Osman Ahmeti foli në detale për të sqaruar programin e festivalit, ku theksoi se festivali fillon me “Karnevalet e Korçës” në produksion të teatrin kombëtar të Kosovës, vazhdon me “Xhaxha Vanja” e Çehovit me teatrin Vazrazhdanie nga Sofia, pastaj me “Perëndimin e Vetmuar” të Martin Mekdona nga teatri U Mosta nga qyteti Perm i Rusisë, nga Lublana “Gratë e Ibsenit”, nga Tirana teatri Metropol me “Natën Ma” nga autorja Marsha Norman, teatri Puls nga Beogradi me shfaqjen “Kiril dhe Klodell” dhe për në fund shfaqja nga teatri i Komedisë “Gra para sulmit nervor”, e inskenuar sipas filmit me të njëjtin titull të regjisorit të njohur spanjoj Pedro Almodovar. Për shfaqjen më të mire në këtë edicion do të kujdeset jyria e përbërë nga akktorja e njohur Yllka Mujo, gazetari dhe kritiku teatrorë Emin Azemi dhe aktori nga teatri popullorë maqedonas Borçe Naçev.
FNT Skupifestival edhe për këtë vit i falemderon mbështetësit e tij Ministrinë e Kulturës, Qytetin e Shkupit, teatrin e Komedisë dhe falemderim të veçantë për sponzorin gjeneral Telekomin e Maqedonisë, i cili për vitin e tretë me radhë ndihmon FNT Skupifestival Shkup.
Hapja solemne bëhet të hënën më datë 21 tetorë më ora 20 në teatrin e Komedisë, aty edhe ku do luhen të gjitha shfaqjet.