24 vende ishin pro çeljes së premtuar të negociatave, tre kundër. Pati madje edhe skenarë të tjerë, siç ishte ai i sakrifikimit të Shqipërisë për të shpëtuar Maqedoninë e veriut, por as kjo nuk e bindi Francën. Në përfundim, zhgënjimi ishte i qartë.
Debati për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut, siç pohuan vetë liderët, ishte i gjatë dhe shpesh herë edhe i ndezur, por në përfundim, rezultati ishte dëshpërues.“Ky takim me historinë shkoi keq. Në vitet 1400 ato territore ranë nën sundimin otoman. Pas luftës së dytë botërore, në regjimin komunist. Kanë një jetë që duan të hyjnë në Evropë. Aspirata e tyre është të hyjnë në Evropë. Tani, 2019, do të kujtohet për një gabim historik. Për këtë më vjen shumë keq. U mundova t’i bindja të gjithë se kjo aspiratë, e komuniteteve me shumicë myslimane që kanë një formim kulturor evropian, duhet plotësuar. Duhej patjetër të hapnim negociatat. Më vjen shumë keq. Në këto momente, jam pranë komunitetit shqiptar dhe maqedonas. Kanë bërë shumë përpjekje. Italia do të jetë gjithnjë pranë tyre, në ndihmë të tyre”, tha Conte.
Edhe kancelarja austriake, Brigitte BIERLEIN, shprehu keqardhje dhe premtoi se vendi i saj do të vazhdonte të mbështeste Tiranën dhe Shkupin.
“Kjo është për të ardhur keq. Austria dhe vendet e tjera u angazhuan që nga fillimi për hapjen e negociatave. Maqedonia e veriut dhe Shqipëria i përmbushën kushtet e komisionit dhe ne mendojmë se e kishin të drejtën e hapjes së negociatave. Vendimi nuk është marrë për shkak të qëndrimit të disa shteteve dhe kjo nuk është shenjë e mirë për solidaritetin e BE dhe për sigurinë në rajon”, tha ajo.
Keqardhje për mosarritjen e konsensusit për Tiranën dhe Shkupin shprehu edhe kryeministri i republikës ceke, Andrej Babish dhe ai i Kroacisë, Andrej Pnekovic, për të cilin, mos hapja e negociatave dhe kërkesa për ndryshimin e rregullave të lojës, ishte e gabuar.
Raportuesja për Kosovën në PE, Tanja Fajon kritikoi ashpër francën duke e akuzuar se po luan një lojë të ndyrë politike çmimin e të cilës do ta paguajnë të tjerë ndërsa ish kryeministri suedez, Carl Bildt tha se Franca, Holanda dhe Danimarka, duke bllokuar hapjen e negociatave, kanë shkelur angazhimet e mëparshme dhe kanë ulur besueshmërinë e BE.