Diplomati bullgar: Po shtyjmë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut drejt Rusisë

Shtyrja e çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, nuk është në interes të Bullgarisë, ka deklaruar ish ministri bullgar i Punëve të Jashtme Solomoni Pasi i cituar nga ina, përcjellë KOHA.

Marketing

Njeriu që ka mbajtur në duart e tij frerët e diplomacisë bullgare kujton se fillimi i këtij procesi me të dy vendet “shtyhet për të tretën herë”.

“Pas vetos së presidentit francez Emanuel Macron, homologu i tij rus Vladimir Putin duhet të ketë porositur një gotë shampanjë. Drejt kujt i shtyjmë Maqedoninë dhe Shqipërinë? A po i shtyjmë ata në duart e Rusisë, Turqisë, Iranit? Vetëm kujtoni atë që bëri presidenti Putin për të parandaluar Maqedoninë në rrugën e saj drejt NATO-s”, deklaroi Pasi.

Ish shefi i diplomacisë bullgare, shfaqet mjaft i drejtpërdrejtë në pohimet e tij kur thotë se beson që bëhen përpjekje serioze që Serbia të mbetet në sferën e ndikimit rus.

“Çfarë mund të bëjmë me Macronin dhe vendimin e tij joracional, pyet Pasi, që shton se ministrja aktuale bullagre e punëve të jashtme Ekaterina Zaharieva mund të bëjë përpjekje për ta bindur të ndryshojë mendim.

Sipas tij, Bullgaria nuk ka asnjë interes që Maqedonia Veriore, Shqipëria,Bosnje Hercegovina dhe Kosova “të kthehen prapa”. “Shqipëria dhe Maqedonia Veriore një ditë do të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, por shtrohet pyetja me çfarë shpejtësie do të ndodhë kjo”, ka shtuar ish ministri.