Zaev: Mickoskin në Gostivar me siguri e ka përqafuar Taravari

Kryeministri, njëherë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në intervistën e sotme për emisionin 360 gradë në Alsat ka folur edhe për deklaratën e djeshme të rivalit të tij kryesor, kreut të VMRO-DPMEN-së opozitare Hristijan Mickoski, i cili tha se gjatë vizitës në Gostivar, shqiptarët janë ngritur nga kafeneja, janë afruar dhe e kanë përqafuar dhe kanë deklaruar se do të votojnë për VMRO DPMNE-në. Zaev tha se me siguri që Mickoski ka përqafuar kreun e kësaj komune, Arben Taravari ose dikush nga ekipi i tij.

Marketing

“E para, për ta dëshmuar këtë, duhet ta shohin ambientin përreth meje. Qytetarët nga të gjitha komunitetet etnike, shqiptarë, maqedonas, serbë, romë, turq, vllahë dhe boshnjakë, të gjithë tregojnë dashuri. Nuk e di nëse qasja ime është e tillë, a është narrativi im i tillë apo pamja është e tillë, nuk e di përse. Mickoski nuk e ka njohur z. Taravarin. Ndoshta e ka përqafuar ekipi rreth Taravarit. Që ta përqafojnë shqiptarët…dhashtë Zoti ta përjetojë këtë, duhet të dëshmohet, ta vendos narrativin e tij ashtu dhe të çlirohet nga filozofia e shefit të tij, “Maqedoni të pastër”, “Maqedonia e maqedonasve” e kështu me radhë. Çdoherë kemi qenë shtet multietnik dhe ashtu do të mbetemi. Nëse këtë nuk e ndryshon, mund ta shfrytëzojnë partnerët e tij politik, ata janë partner koalicioni në Gostivar dhe me siguri nuk e kanë njohur ose ka qenë Taravari ose shefi i tij i kabinetit dhe ekipi i tij”-pohoi Zaev.