Zyrtarë të lartë amerikanë e kitikuan vendimin e Bashkimit Evropian për të mos nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke thënë se një gjë e tillë i hap derën ndikimit më të madh rus, shkruan REL.
“Ne ofrojmë një mundësi për Ballkanin që të shikojë nga Perëndimi, jo nga Rusia dhe Lindja”, tha senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, në një seancë të hapur të Kongresit, kushtuar rajonit.
“Sa herë që dështojmë në këtë mundësi – dhe mendoj se BE-ja dështoi – dërgojmë mesazh shumë të fuqishëm te vendet e Ballkanit Perëndimor se ato nuk duhet të vazhdojnë me reforma, se nuk duhet të vazhdojnë të shikojnë kah Perëndimi dhe të përqafojnë vlerat e tij”, tha senatorja Shaheen.
Më 15 tetor, ministrat e BE-së nuk e dhanë miratimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të kundërshtimeve të fuqishme të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili fillimisht kërkoi reformim të procesit të zgjerimit.
Ishte kjo hera e tretë që ministrat dështuan të arrijnë unanimitet për dy vendet e rajonit.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, u tha senatorëve se Departamenti i Shtetit është “zhgënjyer thellësisht” nga vendimi i BE-së.
Palmer tha se mosveprimi i Këshillit Evropian “nënvlerëson besueshmërinë e BE-së në rajon”, shkurajon gatishmërinë e liderëve për të zbatuar reforma dhe “krijon një boshllëk lidershipi, të cilin Rusia, Kina dhe të tjerët do të ishin më shumë se të lumtur për ta mbushur”.