Një grup i caktuar i prindërve të nxënësve maqedonas të shkollës fillore “Todor Janev” të komunës Çashkë të Velesit sot kanë protestuar dhe nuk kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë. Protesta është organizuar për të kundërshtuar hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në këtë shkollë. Për shkak të mungesës së mësimit shqip në këtë shkollë, nxënësit shqiptarë të fshatrave rreth Çashkës janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë e deri në atë të nëntë. Drejtoresha e shkollës, përveç se e konfirmoi bojkotin e mësimit nuk deshi të jap asnjë sqarim tjetër përmes telefonit.
Kreu i Çashkës, Goran Stojanovski tha se protesta e sotme ishte paralajmërim i disa prindërve se do të bojkotojnë mësimin në rast se miratohet iniciativa për hapjen e paraleleve shqipe në shkollën fillore të Çashkës.
Ata janë fëmijë që këtu janë për çdo ditë dhe mësojnë në gjuhën maqedonase dhe do të ishte mirë të mësojnë edhe në gjuhën e tyre amtare. Si komunë, kemi qëndrimin tonë të qartë mirëpo një grup më i madh i prindërve e kundërshtojnë dhe në këtë moment ne kërkojmë zgjidhje. Ministri ishte prezent te ne, nesër kemi këshill të komunës ku ne si komunë dhe këshill do të sjellim një konkluzion që ta inkurajojmë këshillin e shkollës dhe drejtoreshën që të vazhdojnë të gjejnë zgjidhje-
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha se persona të caktuar dëshirojnë që qëllimisht ti minojnë iniciativat për arsimim të të gjithë qytetarëve në gjuhën e tyre amtare.
Unë mendoj se dikush me ngulm dëshiron që të politizojë, partizojë çështjet e pastra puro arsimore dhe sigurisht një gjë të tillë e dënojmë fort. Arsimimi i qytetarëve tanë nuk duhet të jetë pengesë për asnjë qytetar tjetër në vend, prandaj inkurajoj edhe pushtetin lokal, kryetarin e komunës që të vazhdojnë me punën e tyre, së bashku me këshillin komunal të gjejnë një zgjidhje afat gjate për gjithë banorët e Çashkës-deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.